Kanye West mund ta zgjerojë brendin e tij “Yeezy”

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Reperi i famshëm nga Chicago i shndërruar në biznesmen, Kanye West, ka mundësi ta zgjerojë brendin e tij të suksesshëm, “Yeezy”, duke përfshirë edhe artikuj të bukurisë dhe produkte për mirëmbajtjen e lëkurës.

Ylli i famshëm i muzikës i cili është i martuar me bukuroshen, Kim Kardashian, aktualisht si pjesë e këtij brendi prodhon rroba dhe atlete, por së fundmi ai i ka dorëzuar disa dokumente ligjore të cilat kanë për qëllim ta regjistrojnë emrin “Yeezy” edhe si brend të produkteve të bukurisë, përfshirë këtu maskat për fytyrë, deodorantët, kremrat për rroje dhe të tjerë. Kështu ka bërë të ditur uebfaqja për të famshëm, TMZ.com.

Në fillim të këtij viti, Kanye West, u emërua zyrtarisht miliarder dhe sipas llogaritjeve nga revista “Forbes”, besohet se reperi dhe biznesmeni i njohur e posedon një pasuri prej 1.26 miliard dollarësh.

Sidoqoftë, artisti kontrovers i ka hedhur poshtë vlerësimet e revistës së famshme, duke deklaruar se pasuria e tij e kap shumën prej 3.3 miliardë dollarësh. Ai madje i kishte shkruar mesazh redaktorëve të revistës menjëherë pas publikimit të artikullit, përmes së cilit i ka korrektuar në vlerësimin e tyre.

“Nuk është 1 miliard por 3.3 miliardë dollarë, pasi që askush nga revista ‘Forbes’ nuk di të numërojë,” kishte shkruar West në reagimin e tij.

Sipas redaktorëve të revistës “Forbes” e cila çdo vit i publikon listat e emrave të personave më të pasur në botë, West ka reaguar ashpër ndaj tyre pasi është ndjerë i frustruar për faktin që ata e kanë përfshirë motrën e vogël të gruas së tij, Kylie Jenner, në listën e “Miliarderëve më të ri në botë” dhe nuk e kanë përmendur reperin.

Që nga atëherë, “Forbes” ia ka tërhequr këtë titull Jennerit, me arsyetimin se kanë hulumtuar në shifrat e të ardhurave që bukuroshja amerikane i fiton, dhe kanë mësuar se në fakt ajo vlerësohet ta posedojë një pasuri prej 900 milionë dollarësh, dhe jo 1 miliard dollar siç ishte raportuar me herët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme