Kevin Hart ka nënshkruar marrëveshje me platformën Netflix

Prishtinë | 13 Jan 2021 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Aktori 41-vjeçar dhe kompania e tij filmike “HartBeat”, e kanë arritur një marrëveshje të re me platformën e njohur digjitale, që nënkupton se Hart do të luajë dhe do të shërbejë si producent i katër filmave të rinj, të cilët do të realizohen ekskluzivisht për Netflixin.

Sipas marrëveshjes, Kevin Hart po ashtu do të ketë rol vlerësues për filma të tjerë, të realizuar nga produksioni i tij “HartBeat”.

Në një deklaratë për media, aktori ka thënë: “Partneriteti me Netflixin është një mundësi e jashtëzakonshme për mua dhe kompaninë ‘HartBeat’. Jam i lumtur që do të luaj dhe do të prodhoj filma me Netflixin. Jam shumë falënderues ndaj Ted Sarandos dhe Scott Stuberit, me të cilët e ndajmë të njëjtin vizion kreativ dhe gjithmonë prioritet e kemi shikuesin. Ky biznes ka për qëllim të rritemi si industri, dhe ekipi im nga ‘HartBeat’ vazhdon t’i tejkalojë pritjet e mia me aftësitë e tyre për të zhvilluar tregime interesante, dhe për të krijuar kontakte dhe marrëdhënie të reja dhe të vlefshme”.

Në një prononcim tjetër për media, Scott Stuber, kreu i filmave origjinal në Netflix, tha se mezi pret të punojë me Kevinin dhe t’i shohë prodhimet e tij teksa i argëtojnë shikuesit e platformës për vite të tëra.

Sipas portalit “Deadline”, vlera monetare e kësaj marrëveshjeje konsiderohet të jetë mjaft e madhe, edhe pse kompanitë Netflix dhe “HartBeat Productions” kanë refuzuar të diskutojnë publikisht për anën financiare të këtij bashkëpunimi.

Projekti i fundit i yllit hollywoodian, Kevin Hart” është seria 10 episodesh me titull “Die Hart”, ku ai e portretizon veten duke u përpjekur me çdo kusht që të angazhohet si protagonist në një film aksion. Ky projekt sjell skena të shumta komike dhe në role të tjera paraqiten aktorë të ndryshëm, si John Travolta, Jean Reno, Nathalie Emmanuel, Josh Hartnett dhe të tjerë.

Seria “Die Hart: u lansua online më 20 korrik të vitit të kaluar.

Të ngjashme