Kim Kardashian West ndër të famshmit kundër Facebookut dhe Instagramit

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Kim Kardashian West po i bashkohet të famshmëve të tjerë për t’i pezulluar llogaritë e saj në Facebook dhe Instagram, si pjesë e një fushate e cila i bënë thirrje kompanive më të mëdha të rrjeteve sociale në botë, ndalimin e përhapjes së urrejtjes dhe propagandave në këto platforma.

Aktorë të tillë si: Kerry Washington, Jennifer Lawrence dhe Sacha Baron Cohen, po ashtu kanë postuar mesazhe në Twtter me anë të së cilëve i kanë bërë thirrje Facebookut të bëjë më shumë përpjekje në këtë drejtim, transmeton Koha.

Fushata sensibilizuese, e lansuar këtë verë nga disa grupe për të drejtat shoqërore, e ka fituar përkrahjen e qindra kompanive të mëdha botërore të cilat kanë bërë thirrje për bojkot të reklamimit në këtë rrjet social, edhe pse ky veprim nuk pati shumë ndikim në popullaritetin dhe arkëtimin e të hollave nga Facebooku.

Përfshirja e Kardashianit në këtë fushatë, e kërcënon dukshëm imazhin e Facebookut dhe e vë në pikëpyetje menaxhimin e marrëdhënieve të këtij rrjeti social me personat e famshëm, kjo ngase Kim konsiderohet një prej afaristeve dhe personaliteteve televizive e cila hyn në top dhjetëshen e personave me më së shumti ndjekës në Facebook dhe Instagram.

Facebooku nuk ka pranuar të komentojë rreth kësaj çështje, por kompania ka bërë të ditur se do të bëhen bashkë me këto grupe për të drejtat qytetare, në krijimin e më shumë mjeteve për ta luftuar gjuhën e urrejtjes, megjithëse grupet në fjalë thonë se drejtuesit e këtij rrjeti social kanë treguar pak angazhimin në këtë drejtim.

Kardashian West është bërë një prej personave më me ndikim në luftën për ndryshime në shoqëri, duke i informuar 188 milionë ndjekësit e saj në Instagram rreth çështjeve të ambientit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe duke lobuar në Shtëpinë e Bardhë për reformat në drejtësinë penale.

Të ngjashme