Kosova mbyllet pas rasteve me Covid, Qytetarët ikin në Shqipëri, VIP-at në Dubai

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Sot në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, ka pasur fluks të madh të qytetarëve që kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë për ta kaluar vikendin, ndërsa ditëve të fundit shumë artistë nga estrada kanë vendosur të kalojnë pushimet në Dubai.

Masat e vëna nga qeveria Kurti kanë bërë që kosovarët sot t’ia mësyjnë me të madhe Shqipërisë.

Nga pika kufitare e Vërmicë në mëngjesin e sotëm javën parë kolona të gjata automjetesh që tanimë kanë marrë rrugën për në Shqipëri për ta kaluar fundjavën.

Kjo për shkakun se Kosova aktualisht gjendet nën masa të rrepta anti-COVID19, që përfshijnë mbylljen totale të gastronomisë, përveç me “Take Away” si dhe orën policore.

Kësisoj, kosovarët kanë zgjedhur që ditët e fundjavës t’i kalojnë në Shqipëri, pasi që sot në Kosovë edhe ashtu në sektorin publik është ditë pushimi.

E përderisa në Kosovë po mbizotëron kjo gjendje, disa prej personazheve VIP, shumë prej emrave të njohur të estradës, këto ditë kanë udhëtuar drejt Dubait për pushime.

Këngëtari, Ermal Fejzullahu, përmes rrjeteve sociale gjatë ditëve të fundit ka bërë të ditur që së bashku me gruan e tij, Arianën kanë udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, për pushime.

Në disa fotografi të publikuara edhe ish-Missi, Afërdita Paqarada ka vizituar Dubain gjatë këtyre ditëve.

Këngëtarja, Kida së bashku me disa prej mikeshave të saj gjenden në Dubai, për të kaluar disa ditë pushimi, e që në të njëjtin destinacion për pushime këto ditë ka zgjedhur edhe modelja, Arta Elezaj.

Ato kanë postuar së bashku disa fotografi nga i njëjti vend.

Të ngjashme