Krijuesi i “Ugly Betty” dyshohet të ketë kryer vetëvrasje

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Krijuesi amerikan i hit-komedisë Ugly Betty raportohet se është gjetur i vdekur. Dyshohet për vetëvrasje.

Shkrimtari dhe producenti televiziv Silvio Horta u gjet pa vetëdije në një dhomë moteli në Miami, Florida të martën (7 janar), ku burime të Variety pretendojnë se 45-vjeçari vdiq nga një plagë me armë zjarri që ia kishte bërë vetes.

Horta u bë i famshëm për adaptimin e telenovelës së popullarizuar kolumbiane “Yo soy Betty, la fea (I Am Betty, The Ugly One)” për audiencën anglisht-folëse, e cila e shndërroi aktoren kryesore America Ferrera në një yll.

Ai shërbeu si skenarist kryesor dhe producent ekzekutiv i Ugly Betty, seri kjo që u transmetua për katër sezone nga viti 2006 dhe i fitoi dy çmime “Golden Globe”, duke përfshirë atë për Serialin më të mirë televiziv – komedi ose muzikor në vitin 2007, shkruan KOHA Ditore.

Horta e bëri depërtimin e tij të madh pasi e shkroi skenarin për filmin horror të vitit 1998 Urban Legend, ku luan Jared Leto, ndërsa gjithashtu e shkroi vazhdimin, Urban Legends: Final Cut, dhe e krijoi serialin fanta-shkencor The Chronicle.

Para vdekjes së tij, ai kishte punuar në një projekt të ri, të titulluar “Move”, me Mary J. Blige, një seri kjo e frymëzuar nga jeta e koreografes së njohur Laurieann Gibson.

Të ngjashme