Kritikët e vlerësojnë lart filmin “Wonder Woman 1984”

Prishtinë | 08 Dhj 2020 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Pas shfaqjes së parë të filmit të shumëpritur të regjisores Patty Jenkins, “Wonder Woman 1984”, kanë arritur edhe reagimet e para rreth këtij projekti që është vazhdim i filmit shumë të suksesshëm në arkat filmike, të lansuar në vitin 2017.

Kritikët e filmit i kanë ndarë mendimet e tyre rreth filmit në Twitter, tri javë para se ai të fillojë së shfaquri për publikun mbarë botëror.

Dhe deri më tani, reagimet dhe vlerësimet e tyre kanë qenë tejet pozitive. Ata e cilësojnë atë një vazhdim të jashtëzakonshëm nga fillimi deri në fund, i cili e komplimenton në mënyrë të përkryer filmi e parë dhe është i mbushur me dashuri, shpresë, aksion, romancë, emocion dhe humor.

“Wonder Woman 1984” në rolin protagonist e sjell aktoren Gal Gadot, derisa në këtë vazhdim luajnë edhe aktorët Kristen Wiig, Chris Pine, Pedro Pascal dhe të tjerë. Ngjarja e tij zë vend në vitin 1984 gjatë Luftës së Ftohtë, ku Diana Prince ndryshe e njohur si superheroina Wonder Woman, ballafaqohet me disa armiqtë të ri.

Filmi i shumëpritur i regjisores Patty Jankins do të debutojë në kinematë e Amerikës dhe në platformën digjitale HBO Max, më 25 dhjetor në ditën e Krishtlindjeve, një plan i pazakontë i lansimit i nxitur nga pandemia e koronavirusit. Kështu ai bëhet filmi i fundit me superheronj i planifikuar për t’u lansuar gjatë vitit 2020. Madje ekspertëve të filmit, kjo strategji u është dukur e pazakontë dhe e çuditshme.

Projekti i mbushur me skena aksion, fillimisht ishte planifikuar të publikohej nëpër kinema më qershor të këtij viti. Por studiot hollywoodiane i kishin shtyrë premierat e shumicës së filmave me buxhet të lartë, deri në vitin 2021, kjo pasi pandemia ka bërë që shumë kinema të qëndrojnë të mbyllura.

Ndërkaq, Patty Jenkins së fundmi ka lënë të nënkuptohet se do të ketë edhe vazhdim të tretë të filmit, “Wonder Woman”, por ky me siguri do të jetë i fundit për të.

Të ngjashme