Kushtrim Hoxha si agjent turk në “Madame Secretary” me yje botërore

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Në rolin e një agjenti turk të quajtur Orhan, aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bërë pjesë e një prej serialeve më të njohura televizive amerikane. Hoxha së fundi ka realizuar xhirimet përkrah yjeve amerikane të dramës politike “Madame Secretary”, prodhim i “CBS”-it.

Episodi në të cilin ai paraqitet në rol episodik, do të transmetohet muajin që vjen, por gjasat janë që ai të rikthehet në serial me të njëjtin rol në fund të sezonit të pestë. “Madam Secretary” është serial amerikan, i krijuar nga Barbara Hall dhe me producentë ekzekutivë Lori McCreary e Morgan Freeman.

Drama politike televizive ka protagonist aktoren Tea Leoni (si Elizabeth McCord), një ish-analiste e CIA-s dhe profesoreshë e shkencave politike, që bëhet sekretare e shtetit. Seriali e ka pasur premierën më 21 shtator të vitit 2014.

Më 24 tetor të atij viti, “CBS” e lansoi si sezon të plotë me 22 episode. Në mars të vitit 2017 u dha sezoni i katërt. Që nga prilli i këtij viti, ka nisur transmetimi i sezonit të pestë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme