Kylie Jenner nuk dëshiron që njerëzit të fokusohen në pasurinë e saj

Prishtinë | 02 Qer 2020 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

22-vjeçarja e famshme, Kylie Jenner, së fundmi e kritikoi ashpër revistën “Forbes” pasi ata ia hoqën titullin “miliarderja me e re e vetëkrijuar”, me arsyetimin se kanë hulumtuar në shifrat e të ardhurave që bukuroshja amerikane i fiton, dhe kanë mësuar se në fakt ajo vlerësohet ta posedojë një pasuri prej 900 milionë dollarësh, dhe jo 1 miliard dollar siç ishte raportuar me herët. Tutje, krijuesit e listës së personave më të pasur në botë të revistës “Forbes”, e kanë akuzuar atë për mashtrim në të dhënat e ndara rreth suksesit të bizneseve të saj, përfshirë këtu kompaninë e produkteve të bukurisë “Kylie Cosmetics”.

E gjithë këtë skandal, Kylie Jenner, e ka komentuar duke e postuar një mesazh në rrjetet sociale ku shfaqet e befasuar dhe indinjuar me deklaratat e revistës rreth pasurisë së saj, transmeton Koha.

“Me çfarë lajme u zgjova sot, nuk po mund ta besoj. Kam menduar se kjo ishte një revistë me reputacion dhe besueshme. Por, gjithçka që po shoh në këtë artikull janë numra e deklarata të pasakta si dhe spekulime të pavërtetuara. Unë asnjëherë nuk kam kërkuar ndonjë titull nga kjo revistë dhe nuk do të gënjeja kurrë për të arritur këtu ku jam,” kishte shkruar Jenner.

Po ashtu, një burim i afërt i motrës së vogël të familjes Kardashian/Jenner, ka deklaruar se ajo është e lodhur nga e gjithë kjo situatë e krijuar.

“Në fund të ditës, Kylie thjeshtë dëshiron që njerëzit të mos fokusohen më në pasurinë e saj. Artikulli rreth mashtrimit të supozuar është shkruar nga revista ‘Forbes’, dhe deri më tani ata nuk kanë ofruar asnjë provë për ta vërtetuar se Kylie ka gënjyer rreth pasurisë që e posedon. Dhe në fakt e gjithë kjo situatë e krijuar pa nevojë, duket të jenë një mashtrim për klikime nga revista në fjalë,” citohet të ketë thënë ky burim i personalitetit televiziv për emisionin, “Entertainment Tonight”.

Ylli i shout televiziv “Keeping Up with the Kardashians” që e ka një vajzë dy vjeçare, Stormi, me reperin Travis Scott, duket se ka vendosur që këtë çështje t’ia lërë në duar avokatëve të saj, të cilat i kanë demantuar të gjitha akuzat ndaj klientes së tyre dhe kanë paralajmëruar ta ndjekin penalisht këtë revistë, nëse nuk i tërheqin deklaratat e pavërtetuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme