Larry King i tronditur nga vdekja e dy fëmijëve të tij

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Prezantuesi televiziv 86-vjeçar, Larry King, e ka quajtur humbjen e dy fëmijëve të tij brenda disa javëve, si diçka jashtë normale dhe tronditëse.

King përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se po largohet për ca kohë nga rrjetet sociale, për ta marrë veten nga dhimbja e humbjes së djalit 65-vjeçar, Andy i cili vdiq në muajin korrik dhe vajzës 52-vjeçare, Chaia e cila vdiq në fillim të këtij muaji nga kanceri në mushkëri, transmeton Koha.

“Që të dy ishin shpirtra të mirë dhe të dashur, dhe do të na mungojnë shumë. Humbja e tyre duket jo normale. Asnjë prind nuk duhet ta përjetojë varrosjen e fëmijës. Familja imë dhe unë ju falënderojmë për mesazhet e shumta ngushëlluese. Por, në këto momente kemi nevojë për pak kohë dhe privatësi, për ta marrë veten nga kjo humbje e madhe. Faleminderit për respektin”.

Larry King e kishte adoptuar djalin e ish-gruas së tij Alene Akins, Andy, menjëherë pasi çifti ishte martuar dhe pastaj e kishin sjellë në jetë edhe vajzën e tyre, Chaia.

King dhe Akins ishin martuar në vitin 1961 por kishin përfunduar duke u ndarë në vitin 1963. Ata ishin martuar sërish më 1967-ën dhe ishin shkurorëzuar pesë vjet më vonë.

Prezantuesi i njohur amerikan po ashtu ka përjetuar trauma në vitin 2019, kur pësoi sulm në zemër si dhe e filloi procesin e shkurorëzimit nga bashkëshortja, Shaën Southwick.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme