Leart Zeqa: Vendimi i policisë është absurd, nuk është hera e parë që e organizojmë këtë festival

Prishtinë | 12 Gus 2021 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Edicioni i 10-të i festivalit “Beer Fest Kosova” është anuluar nga Policia e Kosovës ku sipas tyre arsyeja kryesore që ka çuar deri në këtë vendim është lokacioni dhe incidentet që kanë ndodhur në të kaluarën.

Por, Leart Zeqa nga Modus EVENT Management tha se për ta ka qenë absurde ky vendim, sepse sipas tij janë pajisur me të gjitha lejet.

“Dje isha në takim me policinë dhe ata kishin ardhur me një vendim për moslejimin e tubimit publik, ku arsyeja e tyre ka qenë lokacioni i cili mund ta arrin më shumë prishjen e qetësisë publike dhe incidenteve që kanë qenë shumë më herët”.

“Për ne ka qenë absurde për të mos thënë e pa bazë sepse jemi pajisur me të gjitha lejet dhe kjo nuk është hera e parë që ne e bëjmë këtë organizim, por është hera e 10-të”, është shprehur Zeqa në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, ai thotë se e kanë marrë me habi vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës rreth lejimit që klubet e natës të punojnë nga ora 23:00 deri në 03:00 dhe masa të tjera.

“Me habi i kemi marrë edhe udhëzimet e reja të Qeverisë të cilat nuk kanë asnjë ndalesë tjetër se sa që kemi pasur më herët, kështu që ne kemi mundur të vazhdojmë me të njëjtin tempo”, ka thënë Zeqa.

Të ngjashme