“Levitating” e Dua Lipës dhe DaBaby renditet e treta në “Billboard Hot 100”

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, marsin e vitit 2020 lansoi albumin e saj të dytë të quajtur “Future Nostalgia”.

Albumi, i cili përmban gjithsej 11 këngë, përkon me stilin e viteve të ’80 dhe tashmë të gjitha këngët janë kompletuar edhe me klip.

“Levitating” ndërkohë me DaBaby është një nga projektet që u prit shumë mirë në tregun internacional dhe është shndërruar në hit.

Kjo u rendit në vendin e tretë në “Billboard Hot 100” duke lënë pas yjet si Ed Sheeran, Justin Bieber, The Weeknd e Ariana Grande.

Në vend të parë është renditur “Butter” e BTS kurse në të dytin “Good 4 u” e Olivia Rodrigo.

Pak muaj më parë, albumi u shpall ndër më të dëgjuarit në Spotify me 4.7 miliardë transmetime.

Ky album, i cili është në shitje nga kompania e prodhimit “Warner Records”, përfundoi tremujorin e parë të vitit 2021 me një shitje prej 68,926 kopje (54,624 prej tyre nga shërbimet e transmetimit online).

Janë shitur deri më tani edhe 333,968 kopje (234,111 prej tyre nga shërbimet e transmetimit online).

Të ngjashme