Lisa nga “BLACKPINK” pritet të debutojë si solo këngëtare gjatë verës

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Lisa anëtarja e grupit të muzikës K-pop, “BLACKPINK”, së shpejti do të debutojë si solo këngëtare.

Së fundmi ne faqen e revistës “Harper’s Bazaar Thailand” u postua një fotografi e këngëtares shumë të dashur për publikun, të shoqëruar me një mbishkrim i cili e konfirmon lajmin se, Lisa pritet ta shënojë debutimin si solo këngëtare në qershor të këtij viti.

Sidoqoftë, agjencia e cila e menaxhon karrierën e saj “YG Entertainment”, ende nuk e ka konfirmuar këtë lajm. Përmes një prononcimi për gazetën “The Korea Herald”, kompania në fjalë e ka konfirmuar se Lisa është duke punuar me shumë angazhim në realizimin e albumit të saj të parë, por nuk e kanë treguar datën se kur do të lansohet ai.

Rosé është anëtarja tjetër e grupit të njohur nga Korea Jugore, e cila para pak javësh e publikoi albumin e parë solo me titull “R”. Krahas këtij incizimi që ka marrë dy vjet për t’u finalizuar, këngëtarja gjithashtu i lansoi dy këngët, “On The Ground” dhe “Gone”, që të dyja në gjuhën angleze.

Këngëtarja e ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në toplistën muzikore “Billboard”, me këngën “On The Ground” e cila u pozicionua në vendin e 70-të të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard” në Amerikë. Kështu, 24-vjeçarja Rosé është bërë solo këngëtarja e dytë e muzikës K-pop e renditur kaq lartë e kësaj topliste.

Në lajme të tjera për bendin shumë të suksesshëm “BLACKPINK”, së fundmi katër vajzat e grupit, Rose, Jennie, Lisa dhe JiSoo, i arritën më shumë se 60 milionë ndjekës në kanalin e tyre zyrtar në YouTube.

Kjo i bënë ato artistet e dyta në botë me më së shumti ndjekës në këtë platformë muzikore, pas yllit kanadez Justin Bieber.

“BLACKPINK” njihet për hite të shumta të cilat i numërojnë mbi 1 miliard klikime në YouTube, si “Kill This Love”, “DDU-DU DDU-DU”, “Boombayah”, “How You Like That”, “Lovesick Girls”, “Ice Cream”, “As If It’s Your Last” dhe të tjerë.

Nga debutimi i tyre në skenën botërore, grupi ka bashkëpunuar me yje të njohur të muzikës, si Lady Gaga, Dua Lipa, Selena Gomez dhe Cardi B.

Të ngjashme