Madonna në fokus me flamurin palestinez në Eurovizion

Prishtinë | 19 Maj 2019 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Festivali i 64-t Evropian i Këngës, i njohur si Eurovizion, është shënuar me një ngjarje që ka shkaktuar reagime të ndryshme, pasi një nga valltaret që shoqëruan Madonnën gjatë performimit të saj në Izrael mbante flamurin palestinez në kostum, raporton Anadolu Agency (AA).

Madonna doli në skenë me dy këngë para votimit në finalen e Eurovizionit në Tel Aviv, përkundër thirrjeve nga katër anët e botës për ta bojkotuar garën.

Vëmendjen e mbrëmjes e fituan dy valltarët që dolën të kapur dorë për dorë teksa këngëtarja amerikane po këndonte këngën “Future”. Njëra nga valltarët mbante flamurin palestinez mbrapa kostumit, kurse tjetri kishte flamurin izraelit.

Në një deklaratë të Eurovizionit thuhet se valltarët nuk kishin asnjë flamur gjatë provave para koncertit.

“Festivali i Këngës Eurovizion nuk është aktivitet politik dhe Madonna ishte informuar rreth kësaj çështjeje”, thuhet në deklaratë.

Paralelisht me këtë, grupi që përfaqësoi Islandën, Hatari, hapi një banderolë me flamurin e palestinës gjatë shpërndarjes së pikëve, duke shkaktuar po ashtu reagime të ndryshme.

Organizatorët e garës ende nuk kanë bërë ndonjë deklaratë lidhur me grupin islandez.

Kujtojmë se Duncan Laurence nga Holanda zuri vendin e parë në Eurovizion me këngën “Arcade” pasi arriti të fitojë 492 pikë.

Të ngjashme