Meghan Markle përzgjedh lulet e dasmës

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 09:18 | Nga

Princi Harry dhe e fejuara e tij amerikane, Meghan Markle do të rrethohen nga lule të stinës dhe vendase në kishën Saint-George në kështjellën Windsor, ku do të martohen më 19 maj, njoftoi sot pallati Kensington.

“Dekorimi me lule i kishës Saint-George do të krijohet duke përdorur bimë me origjinë vendase, shumë prej të cilave do të vijnë nga kopshtet dhe parqet e Rezervës së Kurorës dhe Parkut të Madh të Windsorit”, theksoi pallati në një komunikatë.

“Lulet dhe bimët e stinës do të përdoren gjithashtu kur kjo të jetë e mundur”, shtoi pallati.

Kompozimet do të përfshijnë trëndafila të bardhë, bozhure dhe luletogëza, por gjithashtu degë ahu, mështekëne dhe shkoze.

“Ato do të përfaqësojnë peizazhet natyrore nga ku shumë prej tyre vijnë”, sipas pallatit.

Dekorimi me lule do të realizohet nga kultivistja dhe luleshitësja londineze autodidakte, Philippa Craddock, që e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 2009 dhe numëron gjithashtu mes klientëve të saj, muzeun londinez V&A, Christian Dior, Hermes, Lancome apo edicionin britanik të Vogue.

Pas ceremonisë, lulet do t’u shpërndahen organizatave të bamirësisë.

Martesa e princit Harry dhe Meghan Markle, më 19 maj, do të tërheqë më shumë se 100 000 vizitorë në kështjellën Windsor, ku do të zhvillohet ceremonia.

Rreth 600 persona janë ftuar për të marrë pjesë në këtë ceremoni si dhe në drekën e organizuar nga mbretëresha Elizabeth II në kështjellën Windsor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme