Ministrja Dumoshi takoi ambasadorin e Turqisë, diskutuan për bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore

Prishtinë | 11 Jan 2021 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës e Turqisë në fushat specifike që janë në domenin e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ka një bashkëpunim të shkëlqye me ambasadën që tregon për raportet e mira që kemi si dy vende e që për rrjedhojë ka ardhur edhe tek një marrëveshje që kemi nënshkruar në Ankara në fund të vitit të kaluar në fushën e kinematografisë.

“Turqia është një shtet i cili është i dëshmuar për ekspertizën e saj dhe mundësia e Kosovës është e madhe që të përfitojë në këtë drejtim. Turqia është e njohur në botë për prodhimin filmik dhe me nënshkrimin e marrëveshjes në këtë fushë kemi hapur një shteg për shumë punë të përbashkëta”, tha ndër tjera ministrja.

Ministrja ka përmendur edhe bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të kulturës, raport i cili duhet të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Ndërkaq, ambasadori Sakar e falënderoi ministren për pritjen dhe fjalët. Ai tha se me marrëveshjet që nënshkruan ministria me atë respektive në Turqi, tregon për raportet e mira që kanë dy shtetet. Ndonëse Kosova po kalon nëpër një proces të ardhshëm zgjedhor, me konstituimin e institucioneve të reja, bashkëpunimin do të vazhdojë në të njëjtën frymë.

Të ngjashme