Muralet e reja ngjyrosin Ferizajn me thirrjen kundër korrupsionit

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 09:49 | Nga

Në ditën e fundit të edicionit të tretë të “Mural Festit” në Ferizaj, artistët ua kanë dhënë dorën e fundit veprave të sivjetme. Grupi prej 18 artistësh, 9 vendorë dhe po aq të huaj, të mërkurën mbrëma kanë parë versionet përfundimtare të tri muraleve, dhjetëra grafiteve me portrete të ndryshme dhe pikturave të realizuara në koloninë e artistëve të mbajtur në kuadër të festivalit me temën antikorrupsion. Krahas këtyre veprave, “Mural Festi” i dha Ferizajt edhe galerinë e parë urbane të qytetit.

Për befasinë më të madhe, sivjet në “Mural Fest” u përkujdes artisti bullgar i artit të rrugës, Ernaste Nasimo me muralin gjigant në objektin prapa Postës. Ky mural shfaq portretin e një femre, që flokët plot monedha ia mban shalli që simbolizon botën. Nasimo pas përfundimit të muralit, të cilin e kreu duke përdorur një kran të vogël, ka thënë se portreti i vajzës së paraqitur në mural shfaq pikërisht korrupsionin që ka kapluar botën. Serioziteti që ka vajza tregon mungesën e lumturisë së saj, megjithëse është e pasur.

Një mural është realizuar edhe në muret e Entit për Punë Sociale, në afërsi të semaforëve të vetëm të Ferizajt. Murali tjetër është në qendër dhe zëvendëson një mural që është krijuar në dy edicionet e kaluara të “Mural Festit”.

Me gjithë kohën me shi gjatë gjashtë ditëve të “Mural Festit”, që nisi më 10 maj, organizatorja Lebibe Topalli është ndarë e kënaqur me punën e 18 artistëve dhe me pamjen e re që ia kanë dhënë qytetit veprat e reja artistike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme