Ndoci: Kosovarët nuk e dinë çka është muzika

Prishtinë | 22 Gus 2016 | 09:40 | Nga

Këngëtari i njohur shkodran Frederik Ndoci ka deklaruar se në muzikën shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ka mungesë vlerash.

Sipas tij përgjegjësi për këtë kanë jo vetëm artistët, por dhe institucionet. Në një intervistë për Sot News, ai ka deklaruar se përderisa tek ne krijimtaria është e lirë, në botë ka kontrolle për vlerat.

“Në veri dominojnë këngëtarët nga Kosova, sepse performojnë me një çmim më të ulët dhe fusin kulturën e tyre, por që është si ajo e amatorëve tanë. Kosovarët duan muzikën, që quhet tallava, muzika më e rëndomtë që i ka ardhur kohës në Ballkan.

Gjatë verës në bregdet rreth 90 për qind zë vend muzika tallava, se sa ajo krijimtari muzikore e mirëfilltë. Kjo muzikë dëgjohet gjatë verës jo pak, madje dhe DJ amatorë në një dasmë muzikë tallava. Tallavaja është një muzikë e Azerbajxhanit, Pakistanit e futur me fjalë shqip. Ky është shumë problem”, thekson Ndoci teksa shton se hiç më mirë nuk është muzika as në Shqipëri.

Ndoci thekson se institucionet kulturore në Shqipëri janë në hall. Ai tha se ka probleme dhe abuzime me fondet që nuk shkojnë nëpër institucionet e artit, ndonëse janë të dedikuara për artin dhe kulturën.

“Ne kemi në opera artistë, por gjithmonë kam thënë se duhet audicion. Infrastruktura vazhdon të jetë me shumë probleme. Në monizëm infrastrukturën e ka mbajtur shteti, por në kapitalizëm nuk duhet ta mbajë vetëm shteti, duhet dhe privati”, thotë Ndoci.

Ai ankohet se artistët nuk kanë mbështetje institucionale dhe janë të atakuar edhe nga shkelja e të drejtave të autorit. Sipas tij, për dallim prej artit dhe muzikës që ka shumë probleme, kinemaja është pak më e avancuar se sa artet e tjera në Shqipëri pasi filmi shqiptar po prezantohet në botë në festivale.

Ndoci planifikon të publikojë së shpejti një album të ri muzikor me këngë të cilat i ka bërë vetë dhe me tekste që sipas tij janë shumë interesante.

“Shumicën e teksteve i kam shkruar vetë, por kam dhe bashkëpunime. Ndërkaq jam në një bashkëpunim dhe me kantautorin e njohur italian Mario Cestari për një këngë”, thekson ai teksa zbulon se albumi do t’i ketë 16 këngë.

Ndoci thotë se problemi kryesor i këngëve sot është se në të shumtën e rasteve ato nuk kanë mesazhe. Ai ka shtuar se teksti i këngës ka humbur shumë, ndërsa ka veçuar se ndër tekstshkruesit më të mirë shqiptarë janë Agim Doçi, Jorgo Papingji, Sokol Marsi dhe Olti Curri, një autor i ri.

Ai ka thënë se sivjet nuk do të marr pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, pasi sipas tij është një vend ku abuzohet.

Lexo edhe :

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/kult/shokon-bleona-pa-dashje-tregon-zogun/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme