“Nëntor i ftohtë” – fitues i katërfishtë në dy festivale

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Filmi “Nëntor i ftohtë” brenda një nate ka fituar katër çmime. Në “The Balkan Film Food Festival” është shpallur filmi më i mirë, ndërsa në “Tetovo International Film Festival – ODA” ka fituar Çmimin për arritje artistike, për aktorin më të mirë dhe Çmimin e audiencës. Në këto dy festivale janë shpërblyer edhe filma të tjerë nga Kosova.

Në edicionin e 9-të të festivalit “Ballkan Film Food Festival”, i cili mbahet në Pogradec, përveç filmit “Nëntor i ftohtë” është shpërblyer filmi i shkurtër “Ajo” i regjisores More Raça. “Ajo” mori Çmimin për të drejtat e njeriut. Filmi me producent Sunaj Raçen flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar veten dhe nënën e saj. Në film luajnë: Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj. Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

E në edicionin e 8-të të festivalit “TIFF – ODA” është shpërblyer edhe filmi “Shpia e Agës”. Filmi i regjisores Lendita Zeqiraj sjell në ekran jetën e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë. Në Festival, mirënjohje speciale të jurisë mori aktori Basri Lushtaku dhe aktorja Rozafa Çelaj, ndërsa çmimin si aktorja më e mirë iu nda Adriana Matoshi.

Regjisori i filmit “Nëntor i ftohtë”, Ismet Sijarina, i është gëzuar shpërblimit të katërfishtë. Ka thënë se çdo çmim është vlerësim dhe motivim për veprat e radhës.

“Filmi ynë pati një natë të mrekullueshme të shtunën, duke fituar katër shpërblime në dy festivale te ndryshme ndërkombëtare. Jemi të lumtur që puna jonë e gjatë në këtë projekt po vlerësohet anembanë botës duke shtuar kështu numrin e çmimeve në nëntë”, ka thënë ai.

Premiera e filmit “Nëntor i ftohtë” është dhënë në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit në Spanjë, në shtator të vitit të kaluar. Filmi trajton historinë e vërtetë të telasheve të një familjeje në kohë të errëta. Roli kryesor i këtij filmi është Fadili, luajtur nga aktori Kushtrim Hoxha. Hoxha për rolin e tij në këtë film në “TIFF – ODA” u zgjodh aktori më i mirë. Ai nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, por të tri çmimet në këtë festival u tërhoqën nga regjisori Sijarina dhe producenti Fatmir Spahiu. Ndërkohë që çmimin në Pogradec e ka tërhequr producenti nga Shqipëria, Paskal Semini.

Bashkëskenaristi Arian Krasniqi ka thënë se çdo çmim për këtë film është mirënjohje e vlerësim për punën e secilit anëtar të ekipit kreativ, por edhe atij teknik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme