Nga luksi i shfrenuar tek burgu, jeta e gruas së El Chapos

Prishtinë | 02 Qer 2021 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Bashkëshortja e El Chapos, Emma Coronel Aispuro bënte një jetë përrallore në Nju-Jork, duke shijuar përfitimet e martesës së saj me mbretin e drogës Joaquin Guzman Loera. Por gjithçka ndryshoi kur ajo u arrestua dhe u transferua në një burg në Virxhinia.

Ajo mbahet në izolim, në një qeli të vogël ku sipas avokatit të saj, Mariel Colón Miro, lexon romane “romantike”, për të kaluar kohën.

Kushtet e burgut shënojnë një kontrast të thellë me jetën luksoze që ajo kishte disa muaj më parë, kur kishte në plan të niste një linjë veshjesh, El Chapo Guzman.

31-vjeçarja u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar “Dulles” në Virxhinia dhe u akuzua se ka ndihmuar bashkëshortin e saj për të drejtuar kartelin famëkeq të Sinaloas. Zyrtarët e FBI thanë se Coronel ndihmoi për të shpërndarë kokainë dhe në planifikimin e arratisjes së burrit të saj nga një burg meksikan në 2015.

Një datë për gjyqin nuk është caktuar ende por nëse shpallet fajtore, ajo mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Duke lënë mënjanë çështjen e fajit ose të pafajësisë, analistët që studiojnë botën e trafikut të drogës thonë se Coronel gdhendi një rol të pazakontë për veten e saj. Ajo ishte një figurë publike, një sipërmarrëse që ndihmonte për të kontrolluar se kush kishte qasje tek burri i saj ndërsa ai ishte duke drejtuar kartelin. Historia e saj hedh dritë mbi botën e fshehtë të karteleve të drogës dhe grave që jetojnë brenda tyre.

Tradicionalisht, gratë e trafikantëve të drogës shihen si “tejet seksi” thotë Cecilia Farfán-Méndez, një studiuese në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Por, Coronel ishte ndryshe sepse ajo tregoi se gratë mund të mbajnë pozicione pushteti.

“Ajo ka një personalitet të madh”, thotë Miro, avokati i saj. “Ema që njoh, është plot energji, gjithmonë e qeshur”.

Coronel, një shtetase si e Meksikës ashtu edhe e SHBA-së u takua me Guzman kur ishte vetëm 17 vjeç, dhe u martuan shumë shpejt. Ata kanë dy fëmijë, Maria Joaquina dhe Emali. Gjatë gjykimit të burrit të saj, Coronel ulej në sallën e gjyqit pothuajse çdo ditë.

Me veshje të shtrenjta, forma perfekte dhe një pamje seksi, imazhi i saj joshës ishte në kontrast total me realitetin e zymtë të operacioneve të kartelit të El Chapo.

Madje ajo mori pjesë edhe në gjyqin ku Lucero Guadalupe Sanchez Lopez, e dashura jashtë martesore e El Chapos, dëshmoi kundër tij. Ajo u arrestua në qershor 2017 me akuzat e trafikimit të drogës pranë kufirit SHBA-Meksikë dhe iu tha se do përballej me një dekadë burg.

Në këto kushte Sánchez, nënë e dy fëmijëve, bashkëpunoi me prokurorët duke tradhëtuar besimin e El Chapos. Ajo foli për dashurinë e tyre dhe punën e tij si një udhëheqës karteli në sallën e gjyqit.

El Chapo, i ulur jo shumë larg, dukej i paduruar dhe vazhdonte të shikonte një orë në mur. Ndërkaq gruaja e tij ishte e ulur në rreshtin e dytë. Ajo shkoi tejet e kuruar e veshur me një xhaketë kadifeje, njësoj si bashkëshorti i saj.

“Xhaketat treguan forcën e martesës së tyre”, thotë William Purpura, i cili shërbeu si avokat i Guzman. Coronel dëshironte t’i dërgonte një mesazh Sanchez duke i thënë se El Chapo ishte i saj.

Pasi foli në gjyq, Sanchez u kthye në qelinë e saj ndërsa Coronel u nis për në darkë në Nju-Jork. Jo shumë kohë më vonë, gjërat ndryshuan krejtësisht. Sánchez u la e lirë ndërsa bashkëshortja e El Chapos është pas hekurave.

Të ngjashme