NYT: Action Bronson, lider i emisionit më gazmor e më të çoroditur ndonjëherë

Prishtinë | 31 Dhj 2017 | 13:04 | Nga

Action Bronson nisi episodin e ri të emisionit të tij ushqimor “The Untitled Action Bronson Show” në një karrige berberësh. Në cep të studios, këpucëtarët po punonin këpucë. Komediani DeRay Davis erdhi me disa pica në stil të Çikagos që nuk impresionuan të pranishmit. “Hmm, mirë po duket”, tha Bronson duke ngritur supet. Më pas, nisi një seancë e jogas, dhe pas pak minutash, ai ndezi një cigare me marihuanë.

Kështu nis shkrimi i “The New York Times” për emisionin tashmë të famshëm të shqiptarit Action Bronson, ku para pak kohësh të ftuar ishin edhe Dua Lipa e Merita Halili, transmeton Koha.net.

Në një moment, Davis pyeti nëse emisionit i erdhi fundi. “As unë nuk e di”, tha Bronson. “A përfundoi emisioni?”.

Ky kaos gazmor është motori dhe emocioni i “The Untitled Action Bronson Show”, i cili transmetohet katër herë në javë në Viceland, pas serive të zhurmshme dhe i rrëmbyeshëm “Desus & Mero”. Është një kënaqësi e çoroditur nga gëzimi, që sjell vlera të larta prodhuese në kaosin e qasjes publike.

“Untitled” nuk është një “talk show” i zakonshëm, nuk është as emision i gatojcave, e as emision i varieteteve. Ndodh që ndonjëherë nuk është fare emision. Por edhe në momentet e tij më të pakëndshme, kërkon shikim aktiv; përveç kohëzgjatjes së tij gjysmë orëshe, janë disa pika kyçe ku duhet të mbështeteni vazhdimisht. Relaksohuni, dhe do të humbasësh diçka.

Action Bronson — i lindur si Arian Asllani dhe njihet me emrin e shkurtër Bronson — është Zotëri Rogers në fanellën e madhësisë XXXL Carhartt dhe Adidas në pjesën e poshtme. Ai është i butë, përveç kur është i thartë. Pëlqen t’ju thotë mysafirëve meshkuj që po duken bukur. Ai e kap gotën e verës me delikatesë, nga bishti. Pranon thirrje nga e dashura. Kamerat incizojnë gjithçka, përfshi edhe kamerat tjera – nuk ka kuadra të duhur, e si rrjedhojë as të gabuar.

Në çdo episod paraqitet një apo më shumë mysafir nga kulinaria, secili prej të cilëve gatuajnë diçka, ndonjëherë me ndihmën e Bronsonit, e ndonjëherë edhe përkundër indiferencës së tij. të famshmit përgatisin ushqim po ashtu, e ndonjëherë vetëm hanë, sikurse atëherë kur Bronson përgatiti biftek (të dhuruar nga Peter Luger) për ish Zotëri Olympia, Ronnie Coleman.

Tavolina në cep okupohet me radhë mes grupesh të zanatçinjve — prodhues qirinjsh, prodhues të produkteve të qumështit, specialistë të origamisë, e të tjerë. Ka edhe të ftuar nga muzika (një orkestër shqiptare, një mjeshtër të thereminit, një reper të SoundCloud) dhe valltarë (të muzikës popullore, hula e tap të Japonisë) dhe zhonglerë (hedhës të thikave, skulptor në akull).

Nëse kjo ju duket shumë, edhe është. Si televizion, është e bezdisshme dhe magjepsëse, qetësisht e paqëndrueshme.

Në mes krejt kësaj, Bronson — kuzhinier i kthyer në reper i kthyer në fytyrë publike të ushqimit — është sharmant dhe i guximshëm, imun ndaj erërave. Kjo ndodh kur ai është në qendër të vëmendjes; ndonjëherë ai zhduket, del pushon gjatë jashtë, apo në banjë. Të gjithë – mysafirët, kameramanët, producentët – tentojnë të marrin vëmendjen e tij. I vetmi moment kur ai shfaq frustrim është kur dikush nga stafi përpiqet të imponojë edhe strukturën më të vogël në të.

Rezistenca e tij e vendos atë në një listë të shkurtër të mysafirëve vështirë të dashur. Ai edhe më parë ka qenë moderator i emisionit “F…., That’s Delicious”, që e çoi atë në aventura gastronomike përreth globit.

Nëse “F…, That’s Delicious” ka qenë emisioni i udhëtimeve për Bronsonin, “Untitled” është një emision i kundër me udhëtimet – gjithçka vjen tek ai. Emisioni gjirohet në dhe përreth kuzhinës “Munchies” në zyrat e Williamsburgut të Vice. (Vice Media, që është pronar i Viceland, kohë më parë ka qenë nën hetim nga New York Times që shfaqi shumë shembuj të ngacmimit seksual dhe të sjelljes së pahijshme nëpër kompani).

Bronson vërtitet rreth e rrotull derisa mysafirët e tij gjejnë veten duke bërë gjëra të papritura. Në emisionin e muajit tetor, Wyclef Jean i hoqi këpucët dhe çorapet dhe bëri vallëzimin ‘breakdanc’, më pas luajti në daulle, dhe në fund piu verë derisa u deh. Marc Ecko bëri grafit në një tortë, të cilën më pas Bronson ia dha për ta ngrënë grave që ishin aty për të përgatitur ushqime të ndryshme. Michael Imperioli shikoi telefonin e tij derisa Daniel Boulud po hante makarona veganë.

Ndoshta emisioni i vetëm i Bronsonit që nuk shkoi si duhet ishte ai me ish-prezantuesen Sally Jesse Raphael, që ishte episodi i dytë i emisionit. Ajo ishte e ashpër dhe e vështirë, refuzonte ushqimin dhe verën që i ofrohej duke i thënë nikoqirit, “Si dreqin mund të bësh seks me këtë mjekër?”. Bronson e trajtoi atë si një pjesëtare të vështirë të familjes, duke e zbutur mjeshtërisht me dashuri derisa ajo u zbut, në njëfarë mënyre. Para se të largohej, ajo vodhi një copë ushqimi dhe e futi në sytjena.

Emisioni ende nuk ishte kuptuar si duhet në javën e parë, kur mysafirët nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte apo si të përshtateshin aty për aty. Kjo do të thotë se në disa prej episodeve të para, përgjegjësia për çuditshmërinë bie kryesisht mbi Bronsonin, i cili shpesh flet gjëra relevante, por humoristike: “Kjo perime është perime fraktale. E kam parë atë perime gjatë një udhëtimi DMT (fjala është për ‘udhëtime’ në gjendje të droguar)”; “A ke pirë ndonjëherë Paul Masson? Do t’ju bëjë të pështyni në fytyrën e mikut tuaj më të mirë”.

Ndonëse është një emision për ushqimin, nuk është se do të mësoni si të gatuani. Kryesisht do të mësoni si të hani. Dhe si ta shihni botën përmes një lente më të gjerë e më bujare. Bronson u jep hapësirë televizive dhe dashuri kuzhinierëve të thjeshtë dhe pronarëve të restoranteve jashtë Manhattanit po aq sa u jep edhe atyre me vulën “Michelin”.

Pjesërisht, Bronson këtë e bën për shkak të rritjes së tij në Queens, zona me më së shumti shtresa dhe më e shumëllojshme. (Ai ka lindur nga një nënë hebraike amerikane dhe një babai shqiptar mysliman). Kjo hapje e tij u shfaq më së miri gjatë episodit për Ditën e Falënderimeve, ku morën pjesë muzikantë nga Maroku, kuzhinierë nga Kolumbia, Porto Riko e Shqipëria, një zhongler me gjarpërinj dhe një taksist nga Queens, të gjithë duke festuar së bashku.

Ushqimi mund të bëjë këtë – është forcë unifikuese. Shpesh në këtë emision, kur ndonjë kuzhinier i mirënjohur përgatit ushqim, Bronson ia dërgon bendit, “Special Victims Unit”, apo edhe mysafirëve artizanalë, dhe i ushqen ata.

Po aq sa janë të mirëpritur të gjithë në tavolinë, kjo shfaqje krijon hapësirë për të gjithë që janë brenda që të përjetojnë çfarëdo tjetër që ofrohet. Debi Mazar provoi pak nga cigarja e Bronsonit, siç bëri edhe bashkëshorti i saj, i cili u ul dhe luajti në daulle me duart e tij derisa bashkëshortja e tij vallëzonte. Në episodet tjera, kuzhinierët vallëzojnë, një eksperte e verërave theu një ulëse druri me dorën e saj, një djalosh mbushi gojën me gaforre. Këtu, të gjithë janë të mirëseardhur, dhe askush nuk është shefi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme