Pas tetë vjetësh, Bob Dylani rikthehet me këngë për vrasjen e Kennedyt

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Kënga e parë e re e Bob Dylanit, pas plot tetë vjetësh, është një refleksion 17-minutësh për vitet ‘60 dhe për vrasjen e presidentit amerikan, John F. Kennedy. Balada e shoqëruar me tinguj të lehtë të pianos, kitarës dhe baterive, “Murder Most Foul”, e ritregon vrasjen e vitit 1963 me terma të zymtë, duke e përfytyruar Kennedyn “të shpjerë për therje si një dash kurbani”. “Ia shpërthyen kokën mbretit, e qëlluan si qenin në pikën e ditës”. Me këngën e re, Dylani i bën një portret epik një Amerike në rënien më të thellë ndonjëherë, por ofron shpëtimin e sojit të muzikës pop: “Beatles”, festivali i Woodstockut, Charlie Parkeri, “The Eagles” dhe Stevie Nick përmenden që të gjithë në vargje. Por, përshkrimi i thellë i vrasjes së presidentit Kennedy më 1963, i hap rrugën një refleksioni mbi Amerikën dhe muzikën.

Kënga është publikuar në mënyrë të paparalajmëruar gjatë mesnatës, teksa Dylani ka shpjeguar se e kishte “realizuar tash e sa kohë”. “Përshëndetje fansave dhe ndjekësve të mi, ju jam mirënjohës për gjithë mbështetjen dhe besnikërinë përgjatë vitesh”, ka thënë këngëtari i shpërblyer me çmimin Pulitzer dhe me çmimin Nobel për Letërsi.

“Kjo është kënga e papublikuar, të cilën e kemi xhiruar tash e sa kohë, e që mund t’ju duket interesante. Rrini të sigurt, vigjilentë dhe ju ndihmoftë Zoti”. Ai nuk ka dhënë hollësi të tjera lidhur me veprën e tij të fundit, por vokali delikat, pothuajse kundërthënës, është rikujtues i shfaqjeve më të fundit live të tij.

Muzikalisht, kënga ka shtrirje të gjerë dhe të pashqitur, me tinguj të mbytur të pianos, tinguj pikëllues të violinës dhe tinguj të ngadaltë e të ulët të perkusioneve – dhe derisa për interpretimin e vargjeve do të duheshin javë të tëra ushtrime, dy vargje specifike sugjerojnë se Dylani mund ta ketë përzgjedhur kohën e publikimit pikërisht tani, si një lloj komenti për politikën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ditën që e vranë, dikush më tha: ‘Bir, koha e Antikrishtit veç sa ka nisur”, këndon ai, rreth minutës së nëntë. “Unë thashë: ‘Shpirti i një kombi është mbytur dhe po fillon të shkojë kah kalbja e ngadaltë’. Dhe janë 36 orë deri në ditën e gjykimit”, transmeton KOHA.

Përpos vrasjes së Kennedyt, kënga i bën aludime kultit të popit, prej “Nightmare on Elm Street” dhe “The Merchant of Venice” deri te “I Want to hold your hand” të “The Beatles”, e madje “Only The Good Die Yong” të Billy Joelit. Pesë minutat e fundit janë pothuajse një katalog i muzikës së tij të parapëlqyer, me referenca për Stevie Nicks, Nat King Cole, “The Eagles”, “Anything Goes” të Cole Porterit, Beethovenit e të mëdhenjve të xhazit, si Stan Getz dhe Charlie Parker. “Murder Most Foul” është kënga më e gjatë e publikuar ndonjëherë nga Dylani, me kohëzgjatje prej plot 16 minutash e 57 sekondash, duke e eklipsuar edhe “Highlands” të 1997-s, që zgjat 16 minuta e 31 sekonda. Nuk dihet nëse kënga ndërlidhet me një punë më të gjerë të tijën, por 78-vjeçari nuk ka publikuar ndonjë album me këngë origjinale që prej atij “Tempest” të vitit 2012.

Ky album përmbante po ashtu një këngë të gjatë rreth një ngjarjeje historike – fundosjes së Titanic-ut. Që atëherë, Dylani ka publikuar tri albume me coverë, shumica interpretuar fillimisht nga Frank Sinatra – “Shadows in the Night” (2015), “Fallen Angels” (2016) dhe “Triplicate” (2017).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme