Prezantuesi i Miss Albania 1991 tregon si ju rrezikua marrëdhënia me të dashurën

Prishtinë | 11 Mar 2017 | 19:44 | Nga

Nga Miss Albania ‘91, ne kujtojmë fare mirë fituesen, Valbona Selimllarin, por shumë mund ta kenë harruar që prezantues ishte ish-studenti i dhjetorit, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe sot drejtor i një prej ndërmarrjeve të saj, Blendi Gonxhe.

Një nga aryset pse mund të jetë fshirë nga kujtesa ky fakt, është që Blendi nuk ka drejtuar asnjëherë tjetër një spektakël. “Kisha shumë emocione. Shumë më tepër sesa të flisja para qindra mijëra njerëzve në shesh. E kuptova që nuk isha për atë punë. Unë e kam parim që kushdo duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë”, ka thënë Blendi.

Ai ishte i ftuar në programin “Fol me mua, fol me ata” të Enkel Demit, i cili trajtoi të premten të parin Miss Albania të vitit 1991, kur mentaliteti nuk ishte ende gati dhe mungesat ishin të mëdha.

Blendi tregoi që propozimi i kishte ardhur nga Vera Grabocka duke qenë që emri i tij, shumë i dëgjuar gjatë ngjarjeve të dhjetorit, do tërhiqte vëmendjen në skenën e Miss Albania-s. “Vera dhe Timoja më ftuan në shtëpi dhe Vera më bëri këtë propozim. Unë e pranova sepse gjithmonë më ka pëlqyer të jem i pari që bëj diçka”, tha ai.

Sigurisht, organizimi i një spektakli bukurie kur sapo kishte rënë komunizmi, me vajza që sfilonin me rroba banje para të gjithëve, nuk ishte diçka e zakonshme. As për vetë Blendin që ishte një djalë fare i ri në atë kohë. Ai pranoi që nuk mund të mos ndikohej nga kjo përvojë. Do ishte çudi sikur të ndodhte e kundërta. Në vitin ’91, kur Shqipëria kishte qenë krejt e mbyllur, papritur një djalë që sapo kishte mbaruar universitetin, u gjend mes vajzave më të bukura e ndoshta dhe më të emancipuara të Shqipërisë që dolën me rroba banje dhe minifunde në ekranin e televizionit, ku deri në atë kohë ishin shfaqur vetëm zonja me fustane poshtë gjurit. Dhe ndërsa ai shihte vajzat e bukura dhe të zgjuara, ato shihnin një farë “heroi” të ri të asaj periudhe, që nuk e dinin se kishte një të dashur. Sigurisht që ajri mes tyre do kishte ca vibrime. Ishin të rinjtë e këtij vendi, që ndanin bashkë mungesat e skajshme të asaj kohe, por edhe dëshirën e madhe për të bërë diçka ndryshe dhe për të ecur me kohën. “E pranoj që u ndikova nga kjo përvojë. U krijua një atmosferë e veçantë gjatë atyre ditëve dhe pati ca flirte. Unë isha në një histori dashurie me Eldën, që sot është bashkëshortja ime dhe më kujtohet që kemi pasur një krizë të vogël për shkak të kësaj atmosfere ku u gjenda. Megjithatë fakti që sot Elda është bashkëshortja ime, tregon që mes nesh ka një dashuri të vërtetë dhe nuk do ia kishte vlejtur ta sakrifikoja për ato ditë”, ka thënë Blendi.

Ai ka treguar që para se të prezantonte Miss Albania-n ishte larguar në Greqi, pikërisht te disa të afërm të së dashurës së tij, sepse kishte mësuar që bashkë me disa studentë të dhjetorit ishin në një listë të zezë. Sapo u kthye ai mori këtë propozim, të cilin e pranoi me shumë dëshirë.

Edhe pse mendon që nuk është i prerë për atë punë, ai do ngelet prezantues i një prej spektakleve më të ndjekur dhe më të bujshëm shqiptarë, Miss-it të parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme