Princi Harry dhe dukesha Meghan e kanë paguar borxhin e taksapaguesve britanik

Prishtinë | 08 Sht 2020 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Princi Harry dhe dukesha Meghan, tashmë i kanë paguar 2.4 milion funtet e kostos së rinovimit të shtëpisë së tyre Frogmore Cottage, në Britani të Madhe.

Duka dhe dukesha e Sussexit e kanë konfirmuar lajmin se e kanë paguar shumën e shfrytëzuar nga paratë e taksapaguesve, të cilat ishin shfrytëzuar për rinovimin e shtëpisë së tyre në kështjellën Windsor, ku fillimisht kishin provuar të jetojnë para se të vendosnin të largohen nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore, transmeton Koha.

“Ky kontribut i ofruar fillimisht nga princi Harry, i mbulon në tërësi shpenzimet e rinovimit të Frogmore Cottage, një pronë kjo e Mbretëreshës Elizabeth, e cila do të vazhdojë të jetë vendbanimi i dukës dhe familjes së tij në Britani të Madhe”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i çiftit të famshëm mbretëror.

Lajmi për pagimin e shpenzimeve të rinovimit të shtëpisë së dyshes Harry dhe Meghan, vjen pak kohë pasi ata e nënshkruan një kontratë disa vjeçare të bashkëpunimit, me platformën digjitale Netflix.

“Jetët tona varen nga njëri-tjetri dhe si çift e kemi kuptuar fuqinë e shpirtit njerëzorë, e guximit, qëndrueshmërisë dhe nevojës për të krijuar lidhje. Përmes punës sonë me komunitete të ndryshme dhe mjediset e tyre, me qëllim të promovimit të njerëzve dhe çështjeve të rëndësishme anembanë botës, fokusi ynë do të jetë në krijimin e përmbajtjeve që kanë rol informues, por gjithashtu japin shpresë. Si prindër të ri, krijimi i programeve inspiruese për familje është po ashtu shumë i rëndësishëm për ne, njësoj sikurse rrëfimet e fuqishme përmes një lente të vërtetë dhe të përshtatshme. Jemi shumë të kënaqur që do të bashkëpunojmë me Ted Sarandosin dhe ekipin e Netflixit, shtrirja e së cilës platformë do të na ndihmojë të ndajmë përmbajtje me ndikim të lartë”, thuhej në deklaratën e përbashkët të dukës dhe dukeshës, Harry dhe Meghan.

Çifti që e ka një djalë 15-muajsh së bashku, Archie, do të fokusohet në krijimin e programeve televizive të cilat rezonojnë me ta, përfshirë këtu çështjet që janë në fokus të fondacionit të tyre jofitimprurës, “Archewell”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme