Producenti kosovar në “EAVE 2020” që synon fuqizimin e prodhimit filmik

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Valon Bajgora, producent i disa filmave të suksesshëm si “Exil” nga Visar Morina, “Cirku fluturues” nga Fatos Berisha, “Diamanti” nga Genc Berisha e “Year of the Monkey” nga Vladimir Blazhevski, është në mesin e 54 producentëve nga 38 vende të botës në punëtorinë “EAVE 2020”, nga 249 sa kanë aplikuar.

Tri sesione të punëtorisë së producentëve “EAVE 2020” do të mbahen në Luksemburg në mars të vitit që vjen, në Galaway të Irlandës në qershor e në Opati e Rjekë të Kroacisë në tetor të vitit që vjen, shkruan sot Koha Ditore.

“Grupi i vitit 2020 është i përbërë nga njerëz të talentuar të ndryshëm dhe profesionalë – jo vetën në kuptimin e nacionalitetit, sferës gjeografike, etnicitetit, moshës dhe gjinisë, mirëpo edhe sa u përket llojeve të projekteve, eksperiencës, sfondit”, është përshkrimi në faqen zyrtare ku janë bërë të ditur edhe emrat e fituesve. Aty bëhet e ditur se falë fondit rajonal gjerman MDM, dy producentë do të kenë mundësinë që të zhvillojnë aftësitë e tyre këtë vit në kurset e “EAVE 2020” dhe se ata janë Valon Bajgora nga Kosova dhe Sergiu Cumtrenco, pjesëmarrësi i parë nga Moldavia.

Producenti kosovar Valon Bajgora ka thënë se kishte aplikuar në “EAVE 2020” për të rritur e zhvilluar aftësitë e tij si producent, pasi që beson se aty do t’i gjejë udhëzimet e duhura për t’u bërë një producent më i përgatitur në nivelin ndërkombëtar.

“Motivimi im është të investoj në zhvillimin tim profesional, i cili nga ana tjetër do të më mundësonte të krijoj filma me cilësi të lartë. Do ta përdor programin ‘EAVE 2020’ edhe për të zhvilluar rrjetin tim të bashkëpunëtorëve, të forcoj zërin tim si producent në nivelin ndërkombëtar, në mënyrë që vendi im të zhvillohet në drejtimin e duhur, për shembull duke u bashkuar në Konventën Ndërkombëtare të Prodhimit”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme