“Pussycat Dolls” do të ribashkohet për finalen e “X Factor”

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

“Pussycat Dolls” do të ribashkohet për në finalen e garës televizive britanike të këndimit “The X Factor”: Celebrity këtë të shtunë (30 nëntor).

Krijueset e hitit “Don’t Cha”, Nicole Scherzinger, Ashley Roberts, Kimberley Wyatt, Jessica Sutta, Carmit Bachar dhe Melody Thornton u ndanë në vitin 2010, por thashethemet për një ribashkim kanë qarkulluar në javët e fundit.

Louis Walshit, i cili është gjyqtar së bashku me Nicole dhe Simon Cowell në show, i rrëshqiti lajmi për ribashkim në emisionin britanik të mëngjesit Lorraine, të hënën, shkruan KOHA Ditore.

“The Pussycat Dolls janë mysafirë! Është ekskluzive për ju”, i tha ai me ngazëllim prezantueses Lorraine Kelly.

Një burim i brendshëm i “X Factor” më herët e dha lajmin për ribashkimin në gazetën britanike “The Sun”, ndërsa Ashley gjithashtu e ka pranuar se vajzat, të cilat e kishin një seri hitesh nga viti 2003 deri në ndarjen e tyre, kishin diskutuar për ribashkimin.

“Producentët e “X Factor” iu afruan Nicole në lidhje me idenë për të performuar me vajzat dhe ajo e shfrytëzoi rastin”, tha burimi i “The Sun”. “Do të jetë performanca e tyre e parë e madhe e ribashkimit dhe do të jetë jashtëzakonisht e veçantë për Nicole për shkak të rolit të saj në show.”

Të ngjashme