Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka zbatuar projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Synimi i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i shumë materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me dëshmitarë të kohës, ish të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish burgun e OZN-ës në Prizren gjatë viteve 1945-65.

Gjatë procesit të punës, ekipi fillimisht është angazhuar në grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore të siguruar nga Agjencia Shtetërore e Kosovës, Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit, Shoqata e të burgosurve politik shqiptar – dega në Prizren, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Biblioteka e qytetit të Prizrenit, etj. Pos materialeve arkivore, informata të rëndësishme janë siguruar edhe nga botimet e ndryshme shkencore të cilat janë prezantuar nëpër konferenca të ndryshme në të kaluarën. Gjatë hulumtimit, paralelisht janë realizuar edhe intervista me dëshmitar të kohës, kryesisht të moshës së shtyrë, intervista me të burgosurit, të cilët janë akoma gjallë, intervista me familjarët e të burgosurve politik, intervistë nga historianët, të cilët kanë rrëfyer për ngjarjet e periudhës së viteve 1945-1965

Bazuar në të gjitha dëshmitë e dokumentuara, së shpejti do të finalizohet edhe dokumentari televiziv i cili do të paraqet përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse të dënuarve politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren theksoi se referuar dokumenteve të shumta arkivore të cilat janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore është përgatitur propozimi i projektit “muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra, ka theksuar drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.

Të ngjashme