RCC-ja mbështetet çmimin për filmin më të mirë realizuar nga një student, në Festivalin e Sarajevës

Prishtinë | 21 Gus 2020 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka kënaqësinë të njoftojë se regjisorja e re Zeynep Dilan Süren, nga Turqia, me filmin “The Great Istanbul Depression” (Depresioni i Madh i Stambollit) fitoi “Heart of Sarajevo për Filmin më të Mirë realizuar nga një student. Ky është një çmim që mbështetet dhe jepet nga RCC që  kur kjo kategori u shpall për herë të parë, në 2017-ën. Ceremonia e ndarjes së çmimeve e 26-të e Festivalit të Filmit në Sarajevë, u mbajt dje, e gjitha online.

“Jam shumë e lumtur që në bashkëpunim me Festivalin e Filmit në Sarajevë po mbështesim kineastët e rinj të rajonit tonë, pasi ky festival është shndërruar në një platformë serioze në këtë industri që i ndihmon të rinjtë të zhvillohen profesionalisht, diçka që e bën gjithashtu edhe RCC.

Ndaj jam shumë e lumtur që këtë vit çmimi i Filmit më të Mirë Studentor shkon për një grua të re nga Evropa Juglindore, nga Turqia. Një bravo të madhe për suksesin Zeynep! Urimet tona më të sinqerta, për ty dhe ekipin tënd! Nuk e lehtë të kapësh suksesin në këtë rajon, sidomos për një grua të re, por shpresojmë që ky çmim të jetë një trampolinë për më lart, për një rrugë të frytshme dhe karrierë të suksesshme! Është koha e rinisë!”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC-së.

RCC e ka mbështetur këtë çmim për të katërtin vit radhazi. Këtë vit gara për kategorinë “Filmi më i Mirë Studentor” ishte midis 15 filmave të shkëlqyer: 10 të njohur në gjithë botën, 3 ndërkombëtarë dhe 2 premiera të rajonit.

Filmi fitues “The Great Istanbul Depression” rrëfente historinë e dy vajzave, Didem dhe Ayşe që s`po gjenin dot punë edhe pse ishin diplomuar prej disa kohësh. Nuk po gjenin asnjë mënyrë se si të fitonin para. Didem nuk arrinte të përqëndrohej për të shkruar dhe as Ayşe për të pikturuar.

Ato gjendeshin në një qytet metropol, të ngecura në tarracën e shtëpisë së tyre mes rrokaqiejve, por edhe ndërtesave të rënuara.

“Ne jemi të nderuar që RCC është partneri ynë dhe mbështetës financiar i Çmimit “Heart of Sarajevo” për Filmin më të Mirë Studentor për të katërtin vit radhazi. Mbështetja për të rinjtë ka një rëndësi të madhe në Festivalin e Filmit në Sarajevë, që përmes programeve të ndryshme po punon në fushën e edukimit dhe promovimit të kineastëve të rinj. Na vjen mirë që kemi regjisorë që u përfshinë në programin “Talents Sarajevo” dhe “Competition Program” (Programin e Konkurrencës) me filmat e tyre. Festivali i Filmit në Sarajevë mbetet një mbështetës i fuqishëm për zhvillimin dhe jemi të lumtur që RCC është partner në këtë mision”, tha Mirsad Purivatra, themelues dhe drejtor i Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme