Reperi DMX po bashkëpunon me Bonon në një këngë të re

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Reperi DMX ka zbuluar se është duke e bërë gati një bashkëpunim me yllin e muzikës rok, Bono. Kënga titullohet “Skyscrapers”.

Gjatë një interviste të fundit, reperi diskutoi për albumin e tij të shumëpritur që njëherësh e shënon rikthimin e tij në muzikë, dhe i cili do të përfshijë bashkëpunime me disa artistë të njohur, përfshirë këtu vokalistin e bendit “U2”.

“Është çmenduri. Kënga është verore dhe ta jep ndjesinë e Miamit, prandaj edhe po mendoj ta xhiroj videoklipin e saj këtu”, citohet të ketë thënë DMX.

Reperi bëri të ditur se me Bonon e kishte njoftuar Swizz Beatzi, miku dhe bashkëpunëtori i tij i kamotshëm i cili gjithashtu është producent ekzekutiv i albumit të ardhshëm të tij.

Albumi ende i patitulluar i DMX-it vjen pas atij të vitit 2012, “Undisputed”, dhe mysafir në këngët e tij janë emra të njohur të hip-hopit, si Lil Wayne, Snoop Dogg, Alicia Keys, Usher, disa anëtarë të grupit “Griselda” dhe reperi i ndjerë Pop Smoke.

Ndër këngët më të pëlqyera të reperit DMX mbesin: “X Gon Give It To Ya”, “Party Up In Here”, “Head Up”, “Where Da Hood At”, “Ruff Ryders Anthem” dhe të tjerë.

Kurse për muzikantin e rokut, Bono, ky nuk do të jetë bashkëpunimi i parë me një artist nga skena e repit dhe hip-hopit. Në vitin 2010 ai dhe kitaristi i grupit “U2”, The Edge, bashkëpunuan me yjet Jay-Z dhe Rihanna, në realizimin e këngës “Stranded (Haiti Mon Amour)”, ndërsa në vitin 2005 ylli i muzikës rok e ri-incizoi hitin e tij “One”, me hip-hop artisten e njohur Mary J. Blige. Edhe sot, ky mbetet një nga versionet më të dëgjuara dhe të pëlqyera të këngës “One”, për publikun mbarëbotëror.

Të ngjashme