Reperi kosovar dëbohet prej Zvicrës

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 17:25 | Nga

I dënuar me pesë vjet burg për një numër deliktesh si detyrim, vjedhje dhe grabitje me armë, reperi nga Cyrihu, Besian Kacorraj i njohur me emrin artistik “Besko” e kishte me kohë edhe dënimin me dëbim në vendin e prejardhjes, në Kosovë.

Por megjithatë, lajmi për dëbim i ka ardhur shumë shpejt, ankohet ai: vetëm një ditë para datës së caktuar për të lëshuar Zvicrën, thotë ai në një intervistë që i ka dhënë nga Kosova, gazetës 20 minuten.

Sidoqoftë, Besko ka udhëtuar të premten në Kosovë dhe atje, siç e thotë në intervistë, ndjehet “si në një ëndërr të keqe”.

“Këtu nuk njoh askënd! Duhet të shikoj se ku do të fle dhe si do t`ia bëj për mbijetesë financiare”.

Ai është tmerruar kur ka kuptuar se me vendimin për dëbim i është shqiptuar masa e ndalimit të hyrjes në Zvicër dhe në gjithë zonën e Shengenit për pesë vite. Sipas tij, kjo masë nuk është humane kur dihet raporti i tij i ngushtë me të birin një vjeçar që e ka lënë në Zvicër.

Besko e pranon se, kur i ka ardhur urdhëresa që të nesërmen duhej të udhëtonte për në Kosovë, ai ishte fshehur për një kohë pasi që kishte shumë punë për të kryer.

Pastaj është paraqitur në polici dhe ka marrë aeroplanin e parë për në Prishtinë.

Avokati i tij thotë se vendimi për dëbim, formalisht është korrekt por nga ana njerëzore është dashur të ketë më shumë maturi. Kjo sepse, sipas tij, Besko ka bërë gjithë atë që mund të pritet nga një ish delinkuent, në drejtim të risocializimit të tij. Ai ka shkruar edhe tekste këngësh ku e ka shprehur pendimin për të kaluarën e tij delikuente.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme