Richard Dormer udhëheq Discworld serinë “The Watch”

Prishtinë | 15 Sht 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Pak më shumë se një vit më parë u njoftua zyrtarisht se do të bëhej seria e re e bazuar në librat për Discworld të të ndjerit Terry Pratchett. I gjithë projekti është në përgatitje e sipër sepse pothuajse është plotësuar kasti i aktorëve, i cili tani u bë edhe me një përforcim.

Richard Dormer, të cilin e kemi parë në serinë “Game of Thrones” në rolin e Beric Dondarrion, i është bashkuar ekipit të aktorëve në rolin e Sam Vimes, komandantit të gardës së qytetit Ankh-Morpork.

Image

Në pjesën tjetër të ekipit të aktorëve të serisë “The Watch” janë Adam Hugill, Jo Eaton-Kent, Marama Corlette, Lara Rossi dhe Sam Adewunmi.

Eaton-Kent do të jetë alkimisti mjeko-ligjor rreshteri Cheery, Hugill e luan rekrutuesin idealist të togerit Carrot, ndërsa Corlette shfaqet në rolin e tetarit enigmatik Angua, përgjegjës për trajnimin e Carrot, shkruan KOHA Ditore. Rossi do të jetë zonja e vlerësuar Sybil Ramkin, pasardhësja e fundit e fisit Ankh-Mopork (dhe bashkëshortja e Vimes), ndërsa Adewunmi shfaqet në rolin e Carcer Dun, i cili planifikon ta marrë kontrollin e qytetit.

“Jam i mahnitur që jam pjesë e kësaj çmendurie dhe kaosi gjenial”, tha Dormer dhe shtoi. “Menjëherë më tërhoqën shtresat e shumta të Sam Vimesit, dhe e konsideroj dinamikën mes tij dhe grupit të tij të miqve të privuar si shumë interesante”.

Simon Allen është shkrimtari kryesor i serisë, ndërsa Craig Viveiros do ta bëjë regjinë. Studioja BBC e bën produksionin e projektit, ndërsa ende nuk dihet se kur do të mund të shfaqet seria në ekranet e vogla.

Të ngjashme