Rita Ora me 13 këngë që kanë tejkaluar shifrën e së paku 100 milionë dëgjimeve në Spotify

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Artistja me renome ndërkombëtare, Rita Ora, njihet si një prej këngëtareve shqiptare më të suksesshme në mbarë botën.

Diskografia e saj është e pasur me këngë të shumta, shumica prej të cilave janë hite me miliona dëgjime në të gjitha platformat muzikore.

Tashmë 13 nga këngët e saj kanë tejkaluar shifrën prej më së paku 100 milionë dëgjimesh në atë që njihet si platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify.

Kjo është bërë e ditur nga një prej faqeve të fansave të cilët përcjellin me interes zhvillimet e këngëtares.

Lista kryesohet nga bashkëpunimi i saj me Aviciin, “Lonely together”, që ka mbi 549 milionë dëgjime, vazhduar nga “Your Song” me 520 milionë dhe “Anywhere” me 450 milionë sosh.

Ndërkohë tri këngët e fundit që i janë shtuar listës së 100 milionë + janë “I Will Never Let You Down” me 160 milionë dëgjime, “Only Want You” me 103 milionë dhe së fundmi “Body On Me” (bashkëpunim me Chris Brown), me 103 milionë dëgjime.

Rita sivjet ka nxjerr në shitje edhe mini-albumin e saj “Bang”, i cili është pritur mirë nga publiku.

Ajo mori veçanërisht vëmendjen e shqiptarëve, kur në një nga klipet e këtij albumi, përkatësisht në klipin “Big”, u shfaq me veshje tradicionale shqiptare. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme