Rona Nishliu: Muzika i bashkon njerëzit

Prishtinë | 20 Nën 2019 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Rona Nishliu u bë e njohur, kur prezantoi Shqipërinë në Eurovizion. Ajo e vazhdon aktivitetin me grupin e saj muzikor të etno-jazz-it kudo në Europë. Së fundmi ky grup erdhi në Köln për një koncert, i ftuar nga UraCult.

DW: Etno Jazz-i ballkanik gërsheton traditën ballkanike me jazz-in bashkëkohor. Çfarë shikoni ju si të veçantë në këtë muzikë dhe sa ju ka frymëzuar ajo për albumin tuaj të fundit?

Rona Nishliu: Veçantia e grupit tonë dhe trajtimi muzikor që ju bëjmë këngëve të vjetra shqipe është një lloj eksperimentimi në nivel tepër personal, të këngëve, me të cilat jemi rritur, këngëve që kujtojmë prej vegjëlisë ose momenteve të ndryshme në shkollë me shoqëri. Kryesisht në familje, sepse këto janë këngë të vjetra, të cilat në festa të ndryshme apo në momente të vuajtjes apo pikëllimit na kanë shoqëruar, si edhe në muzikën e kombeve tjera. Thjesht e kemi ndjerë të nevojshme si muzikantë të promovojmë tabanin shqiptar, pot jo vetëm kaq, por kemi vazhduar me prekjen e traditave të tjera, sepse besojmë që kanë ndikuar shumë në muzikën shqiptare, siç është tradita e muzikës rome. Pra veçantia është trajtimi i muzikës së vjetër ashtu si e ndjejmë ne.

DW: A nuk është një sfidë trajtimi apo transformimi i muzikës së vjetër në Jazz?

Rona Nishliu: Kalimi nga muzika e vjetër në Jazz ka qenë shumë i natyrshëm. Unë kam filluar të merrem me ripunimin e këtyre këngëve prej vitit 2008, atëherë kam qenë e ftuar në RTK për të interpretuar “Bareshën”, dhe nuk kisha dëshirë që këtë këngë ta interpretoj me orkestrën e madhe, por desha të paraqitem në një version tjetër. Ky ka qenë një moment, një shkëndijë, ku për mua u hap një rrugë e re, një dimension tjetër, ku arrita të gjej edhe veten në kombinimin e muzikës “Free Jazz” me atë të vjetër. Kjo më dha mundësinë që ta transformoj muzikën e vjetër në diçka krejt tjetër. Edhe nëse publiku ndoshta nuk e njihte këtë muzikë të vjetër, ky transformim mund të jetë një shtysje për të zbuluar versionin origjinal.

DW: Në albumin tuaj të fundit “Mindili” njëra nga këngët është „Mallëngjimi”. A i dedikohet kjo këngë diasporës shqiptare?

Rona Nishliu: Kur mbaruam regjistrimin e albumit atëherë pamë që plot këngë iu referohen mërgimtarëve. Mirëpo nuk ka qenë ky qëllimi, por kemi dashur të gjejmë materiale shumë të bukura dhe përveç muzikës që nuk ka autor, ajo tradicionale, të zgjedhim edhe disa këngë me autorë, të cilët jetojnë edhe tani. Kështu kam vendosur që të zgjedh këngën “Mallëngjimi”, në mënyrë që të shfaq mirënjohje edhe për kompozitorin e kësaj kënge. Nuk ka qenë diçka e llogaritur për mërgimtarët, por ka ardhur nga sinqeriteti dhe dëshira për të promovuar muzikë të mirë shqiptare. Kjo këngë i dedikohet jo vetëm shqiptarëve, por të gjithëve që jetojnë jashtë atdheut.

DW: Muzika Jazz në shqip ka arritur tanimë publikun ndërkombëtar, mund të shihet kjo edhe si një promovim i kulturës dhe traditës shqiptare në përgjithësi?

Rona Nishliu: Me thënë të drejtën për artistët që jetojnë në Kosovë është e vështirë për të promovuar kulturën tonë jashtë vendit, për shumë arsye. Por shpresojmë që në të ardhmen të mund të jemi më shumë prezentë, gjithsesi prezantimet e kulturës dhe muzikës tonë mundësohen ma së shumti nga shoqatat shqiptare, të cilat punojnë shumë atë drejtim. Në sajë të tyre jemi edhe ne këtu. Por pa dyshim do të doja të jemi shumë më prezentë për të promovuar jo vetëm kulturën shqiptare, por edhe karakteristikat e muzikës së Kosovës, sepse është një rajon shumë i veçantë nga ku vijmë edhe ne. E në albumin e dytë kemi sjellë kryesisht këngë që vijnë nga rajoni i Kosovës, me disa përjashtime të këngëve nga pjesa e Maqedonisë dhe nga jugu i Shqipërisë.

DW: Në grupin tuaj keni edhe një muzikant nga Maqedonia e Veriut, keni po ashtu muzikë të komunitetit rom në album, a është i vështirë bashkëpunimi me muzikantët nga vendet e tjera?

Rona Nishliu: Muzika është gjuha më e bukur e njerëzimit dhe ajo ofron mundësi për të shfrytëzuar tradita të ndryshme dhe për t’i risjellë ata në variante që ne kemi dëshirë. Muzika ka bashkuar shumë njerëz, sikur këtu sonte që nuk kishte vetëm shqiptarë, por edhe njerëz nga komunitetet e tjera. Pa marrë parasysh në çfarë gjuhe këndon, muzika ju flet njerëzve, sepse është një komunikim i drejtëpërdrejtë, i sinqertë dhe shumë i pastër pa manipulime. Vetëm nga dashuria për muzikën kemi arritur të bashkëpunojmë jo vetëm me Kirilin (pjesëtar i grupit) por edhe me muzikantë nga vende të tjera të rajonit. Tani kemi një rritje të bashkëpunimit me Jazz muzikant nga Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

DW: Çfarë roli luajn shoqata të tilla si UraCult në përhapjen e muzikës ballkanike në skenën ndërkombëtare?

Rona Nishliu: Vetëm shoqatat ndoshta e kanë të vështirë të promovojnë posaçërisht muzikën, sepse kanë edhe programe të tjera të arteve të ndryshme, gjithësesi është për t’i falënderuar për këtë inciativë që na ftuan neve edhe të gjithë artistët apo muzikantët e tjerë që promovojnë kulturat tona. Por do të kisha preferuar që jo vetëm shoqatat shqiptare si për shembull këtu në Gjermani, por edhe shoqatat e Ballkanit të bëhen bashkë dhe të sjellin diçka të veçantë nga rajoni, në një skenë të përbashkët. Ne si muzikantë mundohemi të bashkëpunojmë, pse mos të jetë kështu edhe tek shoqatat. Jo vetëm në muzikë, por edhe në film dhe artet e tjera.

DW: Cilën do quanit si këngë sintezë në albumin e fundit, ajo më e veçanta?

Rona Nishliu: Është shumë e vështirë që të veçoj njërën, sepse i dua të gjitha, se jam rritur me ato këngë. Megjithatë është kënga e një njeriu që nuk ka qenë autor këngësh, por thjesht një njeri që i ka dashur shumë vargjet dhe muzikën, që ka jetuar jashtë vendit, sepse ka punuar për çështje kombëtare. Është kënga e Jusuf Gërvallës, “Rruga që shkela dikur”, ku ai këndon për mallin që ka për shtëpinë ku nëna e tij jeton, që nuk e ka parë me vite të tëra. Këtë këngë e kam tepër për zemër, sepse edhe unë vij nga qyteti i Mitrovicës dhe kam jetuar në pjesën veriore, pra në pjesën, ku unë nuk mundem më të shkoj në shtëpinë time dhe kjo këngë, ky tregim më lidh jashtëzakonisht shumë me atë ndjenjë. Edhe pse autori ka jetuar jashtë vendit, unë jetoj aty, por nuk mundem të shkoj në anën tjetër për shkaqe politike dhe të sigurisë as edhe për një vizitë të shkurtër.

DW: A është kjo mënyra juaj si këngëtare për të mos i humbur kujtimet familjare dhe të fëmijërisë?

Rona Nishliu: Padiskutim për këngëtarin kjo duhet të jetë qenësore, në qoftë se nuk ka diçka personale apo nuk je pjesë e interpretimit të një kënge nuk mundesh të jesh i sinqertë. Pavarësisht nga ajo që shumë nuk pajtohen me këtë, sepse ata e shohin muzikën si aktrim dhe e kanë të drejtë ta bëjnë ashtu, por unë besoj, se shumë më e fuqishme është nëse ato vargje, ajo muzikë të zhvendos në një situatë, të cilën e ke kaluar apo në të cilën po kalon. Sepse ato fjalë janë domethënëse dhe i përkasin historisë tënde/DW.

(Intervistën me Rona Nishliun, e zhvilloi Arbër Bajrami pas koncertit, të organizuar nga shoqata kulturore UraCult në Këln.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme