Ronela Hajati i kundërpërgjigjet “Eurovision” me veshjen e saj në konferencën për shtyp, shfaqet unike

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Ronela Hajati ka realizuar sot një konferencë për shtyp në Turin ku ka folur rreth shumë gjërave me vetëbesim dhe natyrën e saj karizmatike.

Në pjesën e supeve fustani ishte voluminoz teksa Ronela mbante dorashka të bardha të shkurtëra.

Sakaq, në kokë mbante një kapele, nëse mund ta quajmë të tillë shumë ekstravagante, të madhe dhe të qëndisur me gurë. Veshjen e saj ajo e shoqëroi me shumë aksesorë si varse, vathë, byzylykë.

E gjithë kjo duket se ka qenë një kundërpërgjigje ndaj Eurovision që fshiu fotot e saj nga Instagram duke e konsideruar si provokuese. E pyetur rreth veshjes nga gazetarët, Ronela tha:

“Përpiqem të jem sa më familjare kështu që i mbulova të gjitha pjesët e trupit. Nuk vendosa maskë sepse duhet të flasë por po përpiqem të mbuloj çdo gjë. Ky detaj i kokës është shumë i bukur dhe veshja është e lezetshme, kam dhe një shenjë nga buzëkuqi im këtu kështu që mos më filmoni.”

Këto kohë Ronela është bullizuar në rrjetet sociale lidhur me trupin e saj, gjë e cila nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e gazetarëve.

“Të bullizosh njerëzit shkon përtej edukimit. Ka të bëjë me të qenit i ligë dhe njeri i vogël. Duhet të ndryshojnë, të shikojnë jetën e tyre dhe të jenë pozitivë sepse ne edhe kur bëjmë sikur nuk na intereson, sërish prekemi nga fjalët. Unë nuk jam këtu për tu gjykuar por për të kënduar. Nëse të pëlqen kënga dëgjoje, nëse jo fike. Kjo gjë duhet të marrë fund por kam frikë se nuk do ndodhë përsa kohë kemi mundësi të shkruajmë çdo gjë pas telefonave tanë. Çdo njeri është i bukur dhe duhet ta shoh bukurinë e vërtetë në pasqyrë jo tek ajo që thonë të tjerët.”- u shpreh ajo kur u pyet për komentet online.

Sakaq, Ronela ka realizuar sot provat e para në skenë disa sekonda prej të cilave janë publikuar edhe në rrjetet sociale. Megjithatë Ronela u shpreh se kanë ndodhur disa gabime por do rregullohen.

“Performanca e sotme ishte plot me gabime dhe jo prej shkakut tim. Por, ka gjëra që do i rregullojmë se ndaj bëjmë prova dhe do bëjmë më të mirën.”

Një pyetje tjetër lidhej me deklaratën e saj se komunikon me të atin e ndjerë.

“Babai më tha se do e rregullojë këtë dhe unë e di që do e bëjë. Do bëjë gjëra që atje lart për mua. Ai kujdeset gjithnjë për mua dhe të flasë për të është një temë delikate. Ai më jep forcë që të vazhdoj. Nëse do jem vetëm 10% e asaj që ishte ai do jem me shumë fat. Jam akoma sa 5% e tij dhe po përpiqem t’i ngjaj sa më shumë.”-tha Ronela.

E pyetur se nëse do takonte Ronelën në një moshë më të re çfarë do t’i thoshte, këngëtarja tha: “Të lutem mos qaj. Çdo gjë do rregullohet. Do jesh një pop-star dhe do bësh para. Akoma nuk kam para por gjithsesi. Provo që njerëzit të të duan. Këtë kam bërë që në fëmijëri. Kam provuar gjithnjë që njerëzit të shohin si jam në brendësi dhe të më duan sepse e meritoj. Do i them mos të shqetësohet se është beqare”.

Dikush e pyeti Ronelën çfarë i ka sjellë Eurovision, si do reagonte po të fitonte dhe me kë nga pjesëmarrësit do bashëpunonte dhe kjo ishte përgjigja e saj:

“Para së gjithash nuk do fitoj dhe mos e thuaj më këtë. E dyta jam akoma duke e kuptuar se çfarë më ka sjellë Eurovision deri tani. Të gjithë ne pjesëmarrësit jemi shumë të zënë dhe akoma nuk e kemi parë se çfarë na ka sjellë. Por kam marrë shumë dashuri nga njerëzit që nuk më njihnin. Njerëzit që të duan dhe mbështesin vetëm për një këngë dhe tre minuta është diçka shumë e madhe dhe ndonjëherë mendoj se nuk e meritoj këtë dashuri. Sepse jam mësuar me kritika çdo herë që publikoj një këngë. Të marrë kaq shumë dashuri është forcë e madhe dhe më beso që kam qarë kur kam parë që shumë njerëz më mbështesin. Së tretin, Lorin do më pëlqente për bashkëpunim se është e mrekullueshme. Më pëlqejnë artistët e këtij viti se janë të mrekullueshëm dhe kemi shumë vajza të talentuara dhe djemë që këndojnë super dhe janë të bukur. Do doja të bashkëpunoja me disa prej tyre. Nuk po e them se jemi në një festival por sepse e mendoj vëtetë.”

Ku e merr Ronela frymëzimin për tu veshur?

“Së pari e marrë nga Niko sepse ai e di çfarë më përshtatet. Pastaj, revista, Instagram etj. Në jetën e përditshme jam shumë e thjeshtë me atlete dhe pa makeup. Por në dalje publike ndryshoj. Sepse duhet të respektoj audiencën. Kemi një shprehje në shqip që thotë se veshja i përshtatet vendit ku je. Dhe unë po respektoj vendin ku jam sot.”

Artistja u ndal edhe te planet e të ardhmes pas mbarimit të Eurovision duke thënë:

“Nuk e di po shpresoj më të mirën dhe arsyeja kryesore që ëndërrova për Eurovision ishte për të arritur ëndrra të mëdha që ka çdo artist. Eurovision është festivali i lirisë, bukurisë, mund të shprehësh veten dhe të bësh show. Është festivali më i madh i muzikës. Në Shqipëri ne kemi nevojë për skena të tilla. Kur fitova Eurovisionin… më falni(qesh) festivalin e Këngës në Shqipëri po mendoja çfarë do të bëj. Si të jap më të mirën. Ndaj nuk më pëlqejnë gjërat që bëj sepse dua të jap më të mirën. Nuk e di nëse shqiptarët ndihet të prezantuar mirë nga një vajzë që vesh kapele në 10 të mëngjesit por jam duke u përpjekur të bëj më të mirën. Kam një skuadër perfekte. Dhe nëse një shtëpi regjistrimi e mirë është e interesuar të më kontaktojë, faleminderit!”

E pyetur nga një ndjekëse nëse mendon se Festivali i Këngës do zgjedh të tjera këngë Pop për në Eurovision, ylli shqiptar tha:

“Kjo ishte hera e parë që një këngë si kjo fitoi Festivalin dhe uroj mos të jem e fundit. Njerëzit duhet të kërcejnë e këndojnë sepse kanë probleme në jetën e përditshme. Për shembull Elona që kam në ekip është e stresuar gjithë kohës por kur dëgjon këngën time ajo kërcen dhe nëse e sheh atë duke kërcyer kjo është diçka shumë e madhe. Kjo është ajo që dua të bëj që njerëzit të harrojnë për disa sekonda problemet.”/Panorama Plus

Të ngjashme