Salla koncertale, përfundimisht në ish-objektin e “Gërmisë” në kryeqytet

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 09:01 | Nga

Lokacioni për objektin e shumëkërkuar nga komuniteti artistik në kryeqytet përfundimisht është caktuar. Salla koncertale do të zërë vend në objektin e ish-“Gërmisë” (ish-shtëpia e mallrave, përballë Teatrit Kombëtar). Por nëse do të adaptohet objekti ekzistues apo do të rrënohet e në vend të tij të ngrihet i riu, ende nuk ka vendim.

Opsioni tjetër që ishte diskutuar në fund të muajit korrik gjatë një punëtorie, ai prapa Pallatit të Rinisë, është hedhur poshtë. Çështja e lokacionit për sallë është diskutuar qysh prej vitit 2014. Sa i përket ish-objektit të “Gërmisë” ai ishte përmendur si opsion për sallë koncertale edhe më 2015, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një hap drejt konkretizimit të kësaj nisme është bërë të hënën me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit midis Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Ky memorandum nënkupton bashkëpunim në përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për koncept ideor e për projektin që janë ndarë 15.4 milionë euro nga Komisioni Evropian përmes fondeve IPA. Në një njoftim nga Komuna e Prishtinës është thënë se puna e Asociacionit ndërlidhet me projektin e Sallës koncertale në qendër të Prishtinës.

Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se kjo detyrë e Asociacionit duhet të përfundojë deri më 15 tetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme