Sekretari i MKRS-së në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Mediat janë biznesi

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi i është kundërvënë mediave sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, raporton Gazeta Express.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shënuar sot Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me moton “Mediat nuk janë armiku!”.

Duke shpërndarë një deklaratë të kryetarit të AGK-së, Xhemajl Rexhës, Bislimi ka shkruar: “Mediat nuk janë armiku. Mediat janë biznesi”.

Duke replikuar në komentin e njërit që i shkroi se nuk e kuptonte kryetarin e AGK-së që kërkonte që Qeveria të mos i bojkotojë mediat, Bislimi ia ktheu: “Ku dhemb dhëmbi shkon gjuha thotë populli”.

Para ndërtesës së Qeverisë, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha ka pasur disa kërkesa për politikanët e vendit.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit në kërkojmë që politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë të sulmeve ndaj gazetarëve”, ka thënë Rexha.

Ai ka theksuar se ndaj gazetarëve ka pasur sulme të vazhdueshme, të orkestruara nga pushteti aktual.

“Kjo sjellje në kombinim me mbylljen e institucioneve dhe mos transparencën që ka mbiztotruar gjatë tërë vitit të kaluar e bënë punën e gazetarit shumë të vështirë”, është shprehur ai.

Të ngjashme