Serialet vendore, sukses apo dështim?

Prishtinë | 01 Jan 2019 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Serialet vendore në tregun tonë përveç se kanë një hapësirë të vogël televizive disa nga ato janë edhe jetë shkurt.

Ndonëse në një numër jo shumë të madhe disa nga to kanë arritur të qëndrojnë në treg.

Pasioni, dëshira dhe dashuria ndaj profesionit bëjnë që aktorët të jenë ende aktive me projekte ndonëse të ardhurat nga aktrimi në vendin tonë lënë ende shumë për të dëshiruar.

Përqindja më e madhe e serialeve janë të zhanrit komedi pasi që ky lloj ka gjetur mënyrë më të lehtë të depërtimi dhe është pranuar më shpejtë nga publiku, duke pasur kështu mungesë të zhanreve të tjera të serialeve.

Shumë nga aktoret në vendi tonë krahas profesionit bëjnë edhe punë të tjera në mënyrë që të sigurojnë jetesën.

Tregu i vogël në vendin tonë ka mundësuar që televizionet më së shumë të orientohen në blerjen e produkteve të gatshme ndërkombëtare se sa  në investimin e një produkti televiziv vendor.

Lidhur me këtë aktori i njohur, Fatmir Spahiu për Indeksonline ka deklaruar se në vendin tonë ka mjaft aktorë të kualifikuar por që tregu i vogël nuk iu ka dhënë shumë hapësirë për tu promovuar.

“Tregu kosovar nuk vuan për aktor cilësor, ka me bollëk. Ka rastisë që kohëve të fundit të shoh një numër të madh të aktorëve të rinj, student apo të sapo diplomuar dhe sinqerisht më vije keq që nuk i shohim në produkte televizive pasi kjo është shumë e rëndësishme për krijimin e një eksperience në një treg kaq të vogël qysh është Kosova” tha Spahiu.

Ai tutje u shpreh se televizionet tona janë orientuar më shumë drejt emisioneve politike pasi interesi është më I madh, por pa seriale dhe emisione argëtuese nuk mund të bëhet një television.

“Televizionet tona, shumica prej tyre biznesin e kanë orientuar në emisione politike që rëndom janë shumë të lira për shkak se një person me interes politiken shkon në një emision pa asnjë cent kompensim dhe si duket televizionet po ndihen komod në një situatë të tillë, ‘bossat’ po ndihen rehat”

“Kurse të krijosh një serial ose një shou televiziv me jetë të gjatë duhet investim, profesionalizëm dhe durim. Por, pa seriale, shou emisione, filma dhe argëtim nuk bëhet një television” tha Fatmir Spahiu për Indeksonline.

Ndërsa, aktorja Shengyl Ismaili u shpreh se në vendin tonë ka shumë nevojë që të ketë sa më shumë seriale vendore në mënyrë që të largohemi nga ato ndërkombëtare si turke dhe spanjolle.

“Më vjen mirë që kemi seriale, populli ynë ka nevojë për seriale vendore që të mos kenë nevojë me përcjellë seriale turke e spanjolle, por mendoj që kemi ende shumë punë para vetës për me e ngrit nivelin që e presin publiku prej serialeve” ka thënë Ismaili.

“Çdo herë e më shumë po punohen seriale dhe në këtë formë rritet konkurrenca, e beso që kjo shtyn producentët, regjisorët dhe aktorët të punojnë më shumë në ngritjen e nivelit. Besoj se ka ardhur koha që të kemi dhe seriale të zhanreve të tjera si, komedi, triler e zhanre tjera që në këtë mënyrë ti ofrojmë publikut shumëllojshmëri të zhanreve në mënyrë që ata të kenë mundësi të zgjedhjes” u shpreh aktorja.

Në anën tjetër, aktori i njohur Jeton Zogjani për Indeksonline ka thënë se konsideron që serialet vendore janë në nivelin e duhur dhe si të tilla janë më të mirat në rajon prandaj edhe duhet të vazhdohen.

“Janë tejet të suksesshme, ndër gjërat më të mira që kanë ndodhur nga paslufta. Po mendoj që i kemi kalua pritet në këtë fushë, sikur të ishte punuar në çdo fushë me këtë intensitet pozicionimi i shtetit tonë do të ishte në një pozitë më të favorshme” u shpreh aktori i njohur kosovar.

Por, Zogjani mendon që duhet të krijohet më shumë hapësirë për aktorët pasi ka mungesë në këtë aspekt.

“Mendoj që ka më shumë nevojë dhe hapësirë për aktorët, ti shmangim serialet e huaja dhe të krijohen më shumë vende për aktorët vendor. Kemi profesionistë gjithandje, të përgjegjshëm dhe shumë punëtor të cilën e konsideroj si një suksese të madh për aktrimin në vendi tonë” u shpreh Jeton Zogjani.

Të ngjashme