Seriali “The Morning Show” në përgatitje për sezonin e dytë

Prishtinë | 27 Jan 2021 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Seriali amerikan “The Morning Show”, i cili bëri bujë me sezonin e parë në vitin 2019, pritet të rikthehet së shpejti me episodet e reja.

Tema e serialit ishte arsyeja që nxiti vëmendje të madhe, meqë trajton ngacmimin seksual në vendin e punës, konkretisht në një media.

Fillimisht ishte paraparë që sezoni i dytë të fillojë në nëntor të vitit 2020, mirëpo, për shkak të pandemisë, xhirimet dhe gjithçka tjetër u shtynë për vitin 2021. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit kohor, në fund të këtij viti do të fillojë edhe transmetimi i tij.

Është vetë Jennifer Aniston, aktorja me rol kryesor në serial, ajo që ka treguar se tashmë kanë filluar xhirimet për sezonin e ri. Çka ra në sy gjatë prezantimit të aktores ishte pamja e saj e re me flokë më të bardha se zakonisht.

Në rolet kryesore sikurse në fillim, do të vazhdojnë të mbesin Jennifer Aniston, Reese Witherspoon, Steve Carell, Billy Crudup dhe Mark Duplass, përderisa kastës do t’i bashkohen edhe aktorë të tjerë për sezonin e radhës, si Julianna Marguiles, Hasan Mihnaj, Greta Lee e të tjerë.

Me notën 8.4 në matësin zyrtar të prodhimtarisë kinematografike IMDB, “The Morning Show” arriti famën që nga premiera e episodit të parë, duke u pasuar me dhjetë episode gjithsej.

Ngjarja zhvillohet në një medium televiziv, duke shfaqur prapaskenat dhe gjithçka tjetër që lidhet me përgatitjen e emisionit më të famshëm amerikan të mëngjesit.

Shtjellohen sfidat që stafi përjeton aty në aspekte të ndryshme, duke u fokusuar në ngacmimet dhe aferat seksuale që çojnë në atmosferë jostabile, kërcënime dhe shantazh në ambientet e punës, e deri te humbja e reputacionit.

Një prodhim i “Apple Tv” seriali “The Morning Show” po pritet tashmë me padurim nga adhuruesit e shumtë që mblodhi brenda pak kohësh.

Sipas njoftimeve zyrtare, deri në fund të vitit gjithçka do të jetë gati, vetëm nëse pandemia COVID-19 ndërhyn sikurse herën e parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme