Sezoni i fundit i “Keeping Up With The Kardashians” i mbushur me momente emocionuese

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Është publikuar tashmë promoja e sezonit të fundi të shout televiziv, “Keeping Up With The Kardashians”, dhe nuk është për t’u çuditur se videoja 2 minutëshe është e mbushur me momente emocionuese e deklarata bombastike.

Disa prej temave të cila zgjojnë kureshtje të madhe te publiku, e që pritet të trajtohen në këtë sezon nga anëtaret e familjes Kardashian/Jenner, janë: shkurorëzimi i çiftit, Kim dhe Kanye, planet për një shtatzëni të dytë mes dyshes, Khloe dhe Tristan, deklarata e Kendall Jennerit se dëshiron të bëhet nënë së shpejti dhe mundësia për një martesë të mundshme mes dyshes, Kourtney dhe Scott.

Edicioni i 20-të dhe final i emisionit shumë të shikuar anembanë botës, do të fillojë së transmetuari të enjten më 18 mars.

Në shtator të vitit të kaluar, kanali E! e pati postuar një deklaratë emocionale të nënshkruar nga Kris, Kourtney, Kim, Khloe, Rob, Kendall, Kylie dhe Scott, përmes së cilës i falënderuan fansat që i kanë ndjekur me shumë përkushtim ndër vite.

“Me zemër të rënduar kemi arritur që si familje ta marrin këtë vendim të vështirë, për t’i thënë lamtumirë emisionit ‘Keeping Up With the Kardashians’. Pas 14 vjetësh, 20 sezoneve dhe qindra episodeve të shout, në momente të mira dhe të këqija, të lumtura dhe të hidhura, lidhjeve të reja e të dështuara, kemi kaluar gjithçka së bashku duke e dokumentuar jetën tonë përmes këtij shou. Ne do t’i ruajmë përgjithmonë të gjitha kujtimet që i kemi krijuar ndër vite, dhe jemi falënderuar për njerëzit e shumtë që i kemi takuar. Faleminderit mijëra njerëzve dhe bizneseve që kanë qenë pjesë e kësaj eksperience, dhe më e rëndësishmja, një falënderim i veçantë për producentin e këtij shou, Ryan Seacrest, dhe faktin që ka besuar tek ne. Sezoni i fundit i emisionit, transmetohet në fillim të vitit 2021”, shkruhej në mesazhin lamtumirës.

Emisioni “Keeping Up With the Kardashians”, i cili e sjell jetën e përditshme të anëtareve të familjes Kardashian/Jenner dhe miqve të tyre të afërt, i bëri ato emra të njohur anembanë globit duke iu ndihmuar të ndërtojnë karrierë të suksesshme në showbiz, modë dhe botën e afarizmit.

Të ngjashme