Fakultetet amerikane aktualisht janë tronditur nga një nga skandalet më të mëdha ndonjëherë, ndërsa në të janë përfshirë edhe dy aktore të famshme, 54-vjeçarja Lori Loughlin, të cilën publiku e mban mend për rolin e saj si Rebecca në hit serinë “Full House” dhe 56-vjeçarja Felicity Huffman, e cila e luajti Lynette Scavo në ‘Desperate Housewives’. Sipas aktakuzës, ndërmjetësuesit i kishin falsifikuar dokumentet e fëmijëve, duke i përfshirë rezultatet e provimeve të tyre, për ta lehtësuar regjistrimin e tyre.
Kundër William Singer, 59-vjeçarit i cili qëndron prapa gjithë skandalit, janë ngritur katër padi, mes të cilave janë zhvatja dhe shpëlarja e parave, ndërsa së fundi ai e pranoi përgjegjësinë, raporton “The New York Times”.
Organizata kriminele dyshohet se i mori gjithsej 25 milionë dollarë nga prindërit të cilët dëshironin që fëmijët e tyre t’i ndiqnin universitetet prestigjioze si Yale, Georgetown, Stanford, Universiteti i Kalifornisë Jugore (ISC), UCLA dhe Wake Forest. Gjithsej 33 prindër u akuzuan sepse iu drejtuan Singerit dhe ia paguan atij nga 200 mijë deri në 6.5 milionë dollarë.
“Nuk mund të ekzistojë sistem i veçantë për regjistrimin në fakultete për persona të pasur, ashtu siç nuk mund të ekzistojë as sistem ligjor i veçantë për ta”, tha kryeprokurori i shtetit Massachusetts, Andrew Lelling, në një konferencë shtypi në Boston.