Sienna Miller rrëfen për zemërgjerësinë e aktorit të ndjerë Chadwick Boseman

Prishtinë | 29 Sht 2020 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Ylli i njohur britanik, Sienna Miller, në një përkujtim të fundit për aktorin dhe kolegun e saj nga filmi “21 Bridges”, Chadwick Boseman, e ka ndarë me publikun një histori të jashtëzakonshme që e shpërfaq zemërgjerësinë e aktorit të ndjerë.

Miller ka zbuluar se Boseman e kishte falë një pjesë të pagës së tij për filmin “21 Bridges”, për t’ia mundësuar aktores që të paguhet me shumën që ajo e kishte kërkuar, e që fillimisht producentët e filmit e kishin refuzuar për shkak të buxhetit, transmeton Koha.

Duke hezituar të flasë për zemërgjerësinë e kolegut të saj të ndjerë dhe ta ndajë me publikun këtë histori të patreguar më parë, aktorja e famshme në një intervistë të fundit për revistën “Empire” megjithatë vendosi ta rrëfejë momentin më ndikues dhe një prej kujtimeve më të veçanta me yllin e filmit “Black Panther”.

“Nuk e di nëse duhet ta tregoj këtë histori tani pas vdekjes së tij. Por, dua ta tregoj sa zemërgjerë ishte Chadwick sepse është një testament i karakterit të tij. Filmi ’21 Bridges’ ishte një projekt me buxhet të lartë, dhe unë e di që të gjithë tashmë e kanë kuptuar pabarazinë e pagave në industrinë e filmit në bazë të gjinisë. Por, megjithatë unë kisha vendosur ta kërkoja një shumë të caktuar të pagës për rolin tim në film, pasi hezitoja të kthehesha në punë shkaku i angazhimeve rreth vajzës sime e cila po e fillonte shkollën. Realizatorët e filmit nuk po mund t’i përmbushnin kërkesat e mia, por pastaj Chadwick përfundoi duke e dhuruar një pjesë të rrogës së tij për të ma siguruar mua pagën që e kisha kërkuar”.

Tutje aktorja shtoi se kjo ishte një prej eksperiencave më të jashtëzakonshme në karrierën e saj si aktore.

“Ai tha se kjo ishte shuma që e meritoja të paguhesha për punën time në film. Dhe nuk ndodhë shpesh ta takosh një burrë në këtë industri që sillet kaq hijshëm dhe me respekt të barabartë për koleget e tij gra”, citohet të ketë thënë tutje Miller.

Më 28 gusht të këtij viti u bë i ditur lajmi i hidhur për vdekjen e aktorit, Chadwick Boseman, në moshën vetëm 43-vjeçare. Pas katër vjetësh, ai e kishte humbur betejën me kancerin në zorrë. Ylli hollywoodian vdiq i rrethuar nga familjarët dhe bashkëshortja e tij, Taylor Simone Ledward.

Të ngjashme