“Siparantum Choir” i Pejës hap dyer të reja pas suksesit në Francë

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 12:44 | Nga

Performancat jo fort të zakonshme të korit nga Peja, “Siparantum Choir”, përzgjedhja e veçantë e repertorit, që i bën këngëtarët edhe të lëvizin në skenë, kanë mrekulluar publikun francez. Pas pesë paraqitjeve nëpër skena të ndryshme, ata menjëherë kanë marrë dy ftesa për vitin 2019. Dirigjenti i këtij kori, njëherësh edhe kompozitori Memli Kelmendi, i ka cilësuar fort të rëndësishme, porse ato do të bëhen publike sapo të lidhen marrëveshjet.

Me këtë është dëshmuar se ky kor joprofesional, por me një energji të madhe, i themeluar hiç më larg se vitin e kaluar, ka një të ardhme të ndritur. Prej 9 deri më 13 të këtij muaji “Siparantum” u bë pjesë e festivalit ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde 2018” në Francë. Përfaqësoi Kosovën në mesin e koreve të tjera, që u mblodhën aty nga vende të ndryshme të botës si Gjermania, Republika e Kongos, Zvicra, Kili, Argjentina, Filipinet, Algjeria, Ukraina, Ekuadori, Bullgaria e Çekia.

Koncerti i parë zuri vend në kishën “Temple” në qytetin Nancy, bashkë me korin e të rinjve nga Filarmonia e Çekisë. Sipas Kelmendit, ka qenë e paraparë të zgjasë 30 minuta për secilin kor, mirëpo pasi që publiku e mirëpriti mirë dhe duartrokitjet ishin të gjata, kjo riktheu korin “Siparantum” në skenë për tri herë.

Programi i korit nga Kosova përfshinte vepra të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë, në mesin e tyre vepra të Mendi Mengjiqit, Dafina Zeqirit, Kreshnik Aliçkajt dhe të vetë Kelmendit. Para se të arrinin në mbrëmjen e fundit, ata u ngjitën edhe në skenën e “Salon de Ville” në Nancy, bashkë me Zvicrën dhe Gjermaninë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme