Slash thotë se “Guns N’ Roses” nuk janë të sigurt” si do ta publikojnë muzikën e re

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Slash konfirmoi në një intervistë të re se “Guns N’ Roses” janë ende duke punuar në albumin e tyre të ardhshëm – por ata thjesht nuk janë të sigurt se si do ta publikojnë atë.

“Nuk ka asnjë përgjigje definitive për asgjë, dhe do të mbetem me kaq”, tha kitaristi për Guitar.com gjatë panairit të fundit NAMM (National Association of Music Merchants). “Gjërat po ndodhin, por nuk ka specifika. Më e rëndësishmja është për shkak të natyrës së industrisë tani. Është sikur, si dëshironi ta bëni këtë? Ka materiale dhe ka regjistrime dhe gjërat po ndodhin, por nuk jemi të sigurt se çfarë po bëjmë me të tani”.

Nëse “Guns N’ Roses” i publikojnë këngët si LP-në e tyre të shumëpritur të gjashtë, ky do të jetë albumi i parë i bendit që nga albumi i tyre i vitit 1993, “The Spaghetti Incident?”, ku shfaqet formacioni i tyre pjesërisht i ribashkuar me Slashin, këngëtarin Axl Rose dhe basistin Duff McKagan. (Rose e mblodhi një formacion të ri për albumin e shumështyrë të vitit 2008, “Chinese Democracy”.)

Duke pasur parasysh ndryshimet thelbësore në industrinë e muzikës që nga qëndrimi i tyre i fundit në studio, “Guns N’ Roses” po debatojnë se çfarë forme duhet të marrin këngët e tyre. “Janë disa njerëz që thanë: “Po, bëni një album në mënyrën e vjetër”, tha Slash. Dhe ka disa njerëz që thonë, “Ne as që e dimë se çfarë do të thotë të blesh album (fizik)”, shkruan KOHA Ditore.

“Guns N’ Roses” e kanë paralajmëruar një projekt të ri shumë herë gjatë vitit të kaluar, megjithëse ata kanë mbetur të paqartë për përparimin e tyre. Slash vuri në dukje shkurtin e kaluar se “ka materiale dhe gjëra që po ndodhin”, dhe shtoi në prill se “ka pasur kaq shumë thashetheme për këtë album të “Guns N’ Roses”, me të cilin nuk kemi bërë asgjë. Pra, do të përqendrohemi në të”.

Turneu i bendit 2020 fillon më 31 janar në Bud Light Super Bowl Music Festival në Miami, i pasuar nga një seri koncertesh në Amerikën e Jugut, Evropë dhe Mbretëri të Bashkuar.

Të ngjashme