Swift godet ata që e urrejnë

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 11:37 | Nga

Kënga e re e Taylor Swift nuk është gjë tjetër veçse një rikthim te tema e vjetër e preferuar e saj: goditja e atyre që e urrejnë.

Pas një viti që e pa këngëtaren të kalojë përmes një ndarjeje të vështirë, një lidhjeje sentimentale afatshkurtër, sherreve me kolegët dhe një beteje në gjyq, 27-vjeçarja nxjerr “single”-in “Look What You Made Me Do” (Shikoni çfarë më detyruat të bëj).

“Kam një listë emrash dhe i yti është nënvizuar me të kuqe”, thuhet në tekstin e këngës së fundit të saj. “E kontrolloj një herë e pastaj i kthehem prapë”. Hakmarrja është ajo çfarë lexohet mes rreshtash.

Swift preferoi t’i qëndronte larg syrit të publikut këtë vit, në vazhden e mediatizimit të madh që iu bë ndarjes së bujshme të saj nga “DJ” britanik, Calvin Harris, historisë shumë të shkurtër të dashurisë me aktorin Tom Hiddleston, si dhe sherreve të hapura me Katy Perry, Kim Kardashian e Kanye West.

Kënga del vetëm një javë pasi 27-vjeçarja fitoi procesin gjyqësor kundër një “DJ” të një stacioni radiofonik, të cilin e akuzonte se e kishte kapur nga të pasmet gjatë një seance fotografimi në vitin 2013. Shpërblimi që mori ishte simbolik, vetëm 1 dollar, për dëmet morale të pësuara, aq sa ç’kishte kërkuar edhe vet.

Të ngjashme