Të enjten shfaqet premiera e baletit “O.Taka” me koreografi të Sinan Kajtazit

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 13:43 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Baleti Kombëtar i Kosovës ka mbajtur konferencë për media në lidhje me premierën e baletit “O.Taka” me koreografinë e Sinan Kajtazi.

Koreografi Sinan Kajtazi tha se kjo shfaqje është e bazuar në histori të vërtetë të cilën ai shpreson që publiku do ta mirëpres.

“E kemi realizuar bashkë premierën e 4-të, për këtë vit. Jam i lumtur që pas një punë më tepër se një muaj kemi arrit bashkë me dhënë ne skenë një produkt qe ka me u pëlqyer shumë nga audienca. Baleti O.Toka është një balet i stilit modern i bazuar në ngjarjen e vërtetë të një personaliteti të shquar të Shqipërisë së Jugut të shekullit 19 i quajtur Osman Taka i cili dënohet me vdekje nga Perandoria Osmane dhe dëshira e tij e fundit ka qenë që ka kërkuar një vallëzim, vallëzimi i tij brilant i shpëton jetën pasi që atyre u ka pëlqyer ai vallëzim”, tha Kajtazi.

Sipas koreografit Kajtazi ky balet është përgatitur duke u bazuar në këtë ngjarje.

Kajtazi thotë se shpreson që ky projekt do të pëlqehet nga shumë dashamirës të baletit.

“Nuk dyshoj që nesër në shfaqjen e parë para publikut secili nga ne do jep maksimumin e vet dhe në bazë të dy provave, mund të  them se baleti i Kosovës do paraqitet në nivelin më të mirë dhe publiku do ndahet i kënaqur nga ana e performuesve balerinë”, tha ai.

Ndërsa balerina, Teuta Krasniqi tha provat kanë filluar që 40 ditë dhe kolegu i saj ka bërë një punë shumë të madhe që ka bërë koreografinë e kësaj shfaqje.

“Për 40 ditë që kemi filluar shfaqjen, Sinani ka bërë një punë të madhe dhe të palodhshme, tema është delikate dhe prekëse”, tha ajo.

Kolegët e Kajtazit e përgëzuan atë për një punë kaq të madhe që ka bërë dhe e cila tani po finalizohet me premierën e shfaqjes e cila do të shfaqet para publikut ditën e nesërme.

Kajtazi tha se Baleti i Kosovës nuk po merr mbështetjen e duhur nga institucionet e Kosovës, por e gjithë puna e mirë ka ardhur si pasojë e dëshirës së madhe të balerinëve për të bërë një punë të mirë të përbashkët për Baletin e Kosovës.

Premiera e baletit “O.Taka” do të shfaqet të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Të ngjashme