Tracey Emin i është nënshtruar operacionit për kancer

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Artistja Tracey Emin është operuar këtë verë, pas diagnostikimit të saj me një tumor kancerogjen në fshikëzën urinare. Këtë gjë artistja e ka konfirmuar vetë gjatë së mërkurës.

57-vjeçarja Emin ishte diagnostikuar me sëmundjen në pranverë, ndërsa ishte operuar para dy muajsh dhe tani është në rikuperim.

Pavarësisht kësaj, ajo ka thënë se ndihet shumë e dobët për t’iu kthyer botës së artit.

“Dje, qava pasi desha të pikturoja, por nuk pata energji”, ka thënë ajo për “Artnet”.

Emin ishte nominuar për çmimin “Turner Prize” në vitin 1999 dhe është një nga artistet më të njohura dhe më të nderuara në Britaninë e Madhe.

Rrjeti i botës artistike “Artnet” ka bërë të ditur se ajo ka qenë duke punuar në një pikturë abstrakte në fillim të karantinës, e cila e kishte “mbajtur atë zgjuar natën”. Vetëm pas diagnostikimit, ajo e kuptoi se kishte probleme me fshikëzën urinare.

Në mars ajo kishte publikuar një video në Instagram, të cilën e shoqëroi me mesazhin se nuk ka shkuar në studio, për shkak se nuk ishte ndier mirë.

Emin, e cila jeton në Margate të Kentit, është e njohur për instalacionet e saja, si shtrati i pandrequr dhe tenda “Everyone I Have Ever Slept With”.

Të premten në Bruksel do të hapet një ekspozitë e saj dhe pikturat më të fundit të Eminit do të shfaqen në Akademinë Mbretërore në Londër nga 15 nëntori, së bashku me pikturat që i ka zgjedhur nga piktori, Edvard Munch.

“Artnet” ka njoftuar gjithashtu se operacioni i Eminit përfshinte heqjen e shumë organeve femërore riprodhuese. Ndërkaq, vetë artistja ka thënë për ueb faqen se “gjysma e trupit i ishte hequr”.

Rreth 10.000 njerëz diagnostikohen çdo vit me kancer të fshikëzës urinare, duke e bërë atë njërën prej dhjetë sëmundjeve më të shpeshta në Mbretërinë e Bashkuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme