U zgjodh kryetar i ri i PDK-së – karriera muzikore e Memli Krasniqit para se t’i hynte politikës

Prishtinë | 03 Kor 2021 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Memli Krasniqi është zgjedhur sot (e shtunë) kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Krasniqi ishte i vetmi nga PDK-ja që ka shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë, ndërsa do ta udhëheqë për dy vite, pasi dy vitet e para të mandatit të kryetarit i ka kryer Kadri Veseli.

Në procesin e votimit pjesëmarrës kanë qenë rreth 476 delegatë, nga të cilët 7 ishin kundër e një votë abstenim.

Përkundër pozitës së re dhe karrierës shumëvjeçare në politikë, Memli Krasniqi dikur ka qenë i përfshirë dhe shumë i përqendruar në muzikë.

Për shumë vite me radhë, ai ishte aktiv në tregun muzikor shqiptar dhe i pranishëm në projekte të ndryshme e më së shumti i njohur si pjesë e grupit hip-hop, “Ritmi i Rrugës”.

Krahas Memlit, në labelin e lartpërmendur ishin edhe Arbër Reçi e po ashtu edhe Besnik Qaka tanimë i NRG Band.

Grupi u formua në vitet ’90 dhe kanë lëshuar gjithsej 3 albume: “Bota është e jona”, “Obsesion” dhe “Përjetësisht”.

Ndërkohë, dy nga hitet më të mëdha të këtij grupi janë: “Ushtari i Rrugës” dhe “Përjetësisht”.

Edhe pse tani i mungon skenës, “Ritmi i Rrugës” do mbahen mend gjatë si ndër më të suksesshmit në historinë e hip-hopit shqiptar.

Të ngjashme