Vdes aktori i filmit “Nanny McPhee” në moshën 25 vjeçare

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Ylli i filmit “Nanny McPhee”, Raphaël Coleman, ka vdekur në moshën 25 vjeçare

Ish aktori fëmijë, i cili e ka luajtur rolin e Eric Brownit në film, krahas aktores Emma Thompson, vdiq të premten e kaluar, derisa lajmin e konfirmoi gjatë ditës e ëma e tij, nëpërmjet rrjeteve sociale.

Vjetëve të fundit, Coleman kishte ndaluar së aktruari në filma dhe ia ka përkushtuar kohën çështjeve të ndryshme si aktivist, duke u bërë edhe anëtarë i grupit protestues për ndryshimet klimatike “Extinction Rebellion”, transmeton Koha.net.

“Pusho i qetë djali im i dashur Raphael Coleman, ndryshe i njohur si Iggy Fox. Ai vdiq duke e bërë atë që e ka dashur, duke punuar për çështje të ndershme. Familja e tij është shumë krenare me të, prandaj ju ftojmë t’i festojmë të gjitha arritjet në jetën e tij të shkurtër, dhe ta vlerësojmë e nderojmë trashëgiminë e tij,” kishte shkruar nëna e aktorit në Twitter.

Derisa në një rrjet tjetër social, njerku i Colemanit ka bërë të ditur se aktori ka vdekur papritur dhe pa pasur probleme shëndetësore të kaluarën.

Coleman u bë i famshëm në vitin 2005 duke luajtur në filmin e popullarizuar “Nanny McPhee”, krahas aktorëve yje të Hollywoodit si, Emma Thompson, Colin Firth dhe Thomas Brodie-Sangster. Ai po ashtu ka luajtur në filmat “It’s Alive”, “The Fourth Kind” dhe “Edward’s Turmoil”, si dhe e ka fituar çmimin “Aktori më i mirë” në festivalin e pavarur të filmit në Britani të Madhe, në vitin 2010.

Të ngjashme