Vdes këngëtari i njohur

Prishtinë | 14 Sht 2019 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Këngëtari amerikan, Eddie Money, i cili kishte shënuar suksese në skenën e muzikës së viteve të shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta me këngët “Two tickets to paradise” dhe “Take me home tonight”, ka vdekur në moshën 70-vjeçare.

Ai ishte autor i 11 albumeve muzikore dhe i kishte shitur rreth 30 milionë kopje gjatë karrierës së gjatë prej katër dekadash.

“Me zemër të rënduar i themi lamtumirë bashkëshortit dhe babait tonë të dashur. Është shumë vështirë ta paramendojmë botën tonë pa të. Sidoqoftë, ai do të jetojë përgjithmonë përmes muzikës së tij”, thuhet në deklaratën e familjes së tij.

Eddie Money, i cili fillimisht quhej Edward Joseph Mahoney, u lind në Brooklyn të Nju Jorkut në vitin 1949. Ai e realizoi albumin e parë në vitin 1977. Ky album ishte shitur në më shumë se dy milionë kopje.

Kënga “Take me home tonight”, e cila në fakt ishte një duet me Ronnie Spector, ishte një ndër sukseset më të mëdha të këngëtarit, duke e renditur atë në vendin e katërt në Shtetet e Bashkuara.

Ai kishte treguar më 24 gusht se vuante nga kanceri i ezofagut. Këngëtari i ka lënë pas vetes gruan dhe pesë fëmijët, shkruan “BBC”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme