Vdiq djali i supermodeles Stephanie Seymour, në moshën 24-vjeçare

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Harry Brant, djali i supermodeles së njohur Stephanie Seymour dhe biznesmenit Peer Brant, ka vdekur në moshën 24-vjeçare.

Brant i cili ishte model, sikur e ëma e tij, ka humbur jetën të dielën më 17 janar nga mbidoza aksidentale me ilaçe me recetë. Kështu ka bërë të ditur familja e tij, përmes një komunikate për media.

“Ne do të mbesim të pikëlluar për gjithë jetën që jeta e tij u shkurtua shkaku i kësaj sëmundje. Ai ka arritur t’i realizojë shumë gjëra në këto 24 vjet jetë, por tani nuk do ta kemi kurrë rastin të shohim sa shumë do të bënte Harry me jetën e tij. Ai nuk ishte vetëm djali ynë, Harry ishte një vëlla i mrekullueshëm, nip shumë i dashur, xhaxha i preferuar dhe një mik i kujdesshëm për të gjithë. Ai ishte kreativ, i sjellshëm dhe person me një shpirt të fuqishëm, i cili solli dritë në zemrat e shumë njerëzve. Ai ishte vërtetë një njeri u bukur, si përbrenda ashtu edhe jashtë”.

Harry Brant megjithëse i ri në moshë, tashmë e gëzonte një karrierë premtuese në fushën e modës, duke u bërë pjesë e kampanjave reklamuese të markës “Balmain” dhe revistës “Italian Vogue”. Në të kaluarën ai e kishte lansuar një linjë të produkteve të grimit, në bashkëpunim me kompaninë “MAC”, si dhe ka shërbyer si kolumnist për revistën “Interview”, e cila ishte pronë e babait të tij Peter Brant.

Kujtojmë se nëna e të ndjerit, Stephanie Seymour, ishte supermodele e njohur në kohën e saj. Kah fundi i viteve ’80 ajo u shfaq në ballinën e revistës “Sports Illustrated Swimsuit Issue” dhe në revistën prestigjioze “Vogue”. Gjatë viteve ’90, Seymour u shndërrua në një ndër modelet më të kërkuara për reklamimin e rrobave të brendshme, për kompaninë atëkohë të re, “Victoria’s Secret”. Në mars të vitit 1991 dhe në shkurt të vitit 1993, Seymour pozoi për revistën kontroverse “Playboy”. Ajo shquhej si një prej supermodeleve më të famshme të asaj kohe, krahas modeleve tjera, si Kate Moss, Naomi Campbell, Linda Evangelista, Christy Turlington, Cindy Crawford dhe Claudia Schiffer.

Stephanie Seymour po ashtu ka qenë protagoniste në videoklipin e famshëm të grupit “Guns N’ Roses”, me titull “November Rain”.

Të ngjashme