Vizat bëhen shkak që Kosova të mos paraqitet në një festival rumun

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 15:01 | Nga

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Një shfaqje teatri me katër aktorë…”, e cila është dashur të jepet sot, me datë 21 maj në ora 17:00, në Teatrin Hungarez në Timisoara të Rumanisë, si pjesë e festivalit TESZT – Euroregional Theatre Festival Timișoara, është anuluar.

Fatkeqësisht, siç thuhet në njoftim, një pjesë e ekipit të shfaqjes nuk ia doli që t’i siguroj vizat për të udhëtuar në Rumani.

“Këto dy muajt e fundit, stafi i Qendrës Multimedia kemi qenë në një përpjekje shumëfrymëshe për të siguruar vizat për krejt ekipin, por përpjekjet tona janë ndeshur me burokracinë dhe trajtimin poshtërues të disa prej ambasadave Evropiane në Kosovë. Jam i shokuar nga fakti se mbas krejt këtyre prezantimeve ndërkombëtare (mbi 100 sosh) të shfaqjeve tona, regjimi i vizave Schengen për artistët tanë është bërë më rigjid, më i egër dhe më jo-dashamirës. E provuar në lëkurën tonë, dhe jo vetëm këto dy muaj, por përgjatë krejt këtyre viteve të fundit, zona e Schengenit, për ne është shndërruar në një zonë të “fashizmit të butë”, me të cilin birokracia rregullative evropiane e konvertuar në “viza Schengen” shtypë, keqtrajton dhe poshtëron”, thuhet në njoftim.

Paradoksalisht, thuhet tutje, por para dhjetë ditësh, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë më ndau mirënjohjen “Evropiani i vitit”, për “promovimin e ideve dhe vlerave Evropiane”.

“Dhe ja, dhjetë ditë pas, mua dhe ekipit të shfaqjes na u pamundësua udhëtimi në Rumani. Dhe prandaj, po pyes, nëse këto “vlera e ide Evropiane” përfshijnë edhe këtë qasje raciste e poshtëruese që disa prej ambasadave të shteteve të EU-së në Kosovë kanë ndaj nesh kosovarëve? Sepse, atëherë më me dëshirë do të rrija pa këtë kurorë ‘evropiane’, atëherë më me dëshirë do të rrija artist që përpiqet dhe lufton kundër rregullave që shtypin të voglin, të pafuqishmin, të ndryshmin, artist që është kundër privilegjeve të disa qytetarë evropian në kurriz të disa të tjerëve ‘jo-evropian’”, thuhet në komunikatën dërguar nga Jeton Neziraj.

Kjo është hera e dytë që një shfaqje e Qendrës Multimedia pamundësohet të jepet jashtë Kosove. Para disa vitesh, autoritetet kineze patën anuluar vizat për ekipin Kosovar, dhe pjesëmarrja e trupës kosovare në festivalin Shanghai International Experimental Theatre Festival (SIETF) qe pamundësuar.

“Sot ndërsa është hera e dytë që na pamundësohet të japim shfaqjen tonë, sërish si rezultat i komplikimeve burokratike e politike me viza. Por përderisa herën e parë, komplikimet dhe anulimi i shfaqjes kishin njëfarë kuptimi “logjik”, duke e pasur parasysh që Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pamundësinë e pjesëmarrjes tonë në një festival Evropian e shohim me shumë shqetësim. Evropa dhe zona e saj e Schengenit dhanë sot një shembull të vogël (por domethënës) se, kur janë në pyetje kosovarët, me Kinën i ndanë vetëm gjeografia”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme